Kërkesa e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, që qeveria të shikojë mundësinë e pranimit të rreth 3 mijë refugjatëve sirianë, edhe pse nuk ka marrë ende një përgjigje pozitive ka sensibilizuar në masë qytetarët.
Pas propozimit kryetares së shtetit, në rrjetet sociale kanë vërshuar komentet për mikpritje të refugjatëve, duke sjellë në kujtesë se edhe shqiptarët e Kosovës dikur kanë qenë po aq nevojtarë sa sirianët sot.
“Unë jam refugjat”, është shprehja më e shkruar këto ditë nga përdoruesit kosovarë në Facebook e Twitter.
I vetmi zyrtar i lartë i shtetit që është shprehur publikisht lidhur me këtë çështje ka qenë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili një ditë më parë bëri thirrje për solidaritet të shtetit të Kosovës me refugjatët.
“Askush më mirë se sa ne nuk e kupton dhimbjen e braktisjes së atdheut për shkak të terrorit. Askush më mirë se sa ne nuk e ndjen trishtimin në fytyrat e fëmijëve të ikur nga lufta. Prandaj është moment që me aq sa kemi mundësi, të bëhemi pjesë e solidaritetit me njerëzit e vuajtur”, deklaroi Veseli.
Në qeverinë e Kosovës ende nuk është marrë ndonjë vendim, nëse vendi ka kapacitet të mbajë refugjatë, por një grup punue ndërinstitucional që është formuar mësohet se kryen takime të përjavshme për të vlerësuar gjendjen përreth kufijve të Kosovës.
Vetëm në ditët e fundit në Luginën e Preshevës, në kufirin lindor të Serbisë me Kosovën, kanë mbërritur mbi 6 mijë refugjatë sirianë. Deri tani në Kosovë nuk kanë ardhur refugjatë, por besohet se disa grupe mund të jenë trafikuar nga persona të cilët i shfrytëzojnë këto situata për të fituar para.
Top Channel ka mësuar nga zyrtarë të Komunës së Gjilanit se në fshatrat kufitare me Serbinë ditët e fundit trafikantët kanë kaluar dhjetëra refugjatë në pjesën e Kosovës, të cilët janë strehuar nga familjet shqiptare, por që menjëherë pas një dite ata kanë vazhduar sërish rrugën për në shtetet evropiane.
Top Channel