Në Katedralen e Prishtinës kujtohet Nënë Tereza

05/09/2015 17:45

Në Katedralen e Prishtinës u mbajt të shtunën mesha solemne e quajtur “Festa e Nënë Terezës”, datë kjo e cila përkon me ditën kur ajo ndërroi jetë. Në këtë meshë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, u bënë lutje për më shumë paqe në mbarë botën.

Kjo meshë u drejtua nga kryeipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili foli për veprën dhe përkushtimin e Nënë Terezës për t’u shërbyer njerëzve në nevojë.

“Ishte e përkushtuar që me të njëjtin zell shpirtëror t’u shërbente hinduve, myslimanëve dhe të krishterëve, sepse ishte e bindur se varfëria, vuajtja, padrejtësia, urrejtja, lufta, braktisja e aborti nuk janë të hinduve, as të myslimanëve dhe as të krishterëve. Ato janë mizori njerëzore dhe padrejtësi shoqërore, si pasojë e egoizmit dhe mungesës së dashurisë. Po ta dëgjonte bota këtë zë dashurie dhe këtë brejtje ndërgjegjeje, në mesin tonë nuk do të kishte më të varfër, në botë nuk do të kishte kaq shumë luftëra dhe në Evropë nuk do të kishte kaq shumë emigrantë”, u shpreh Imzot Dodë Gjergji.

Kryeipeshkvi kosovar tha se Nënë Tereza e ka mahnitur mbarë botën me kujdesin që ka pasur për njerëzit në nevojë. Ajo ndërroi jetë në vitin 1997 dhe tani në çdo përvjetor të lindjes apo të vdekjes së saj, ajo kujtohet në të gjithë hapësirat shqiptare por edhe në botë.

Qindra vetë grumbullohen në varrin e saj, duke u lutur dhe duke kënduar. Murgeshat e urdhërit “Misionaret e Bamirësisë” që ajo themeloi 55 vjet më parë në Kalkuta, çdo vit vendosin lule para memorialit të bardhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA