Festa e vjeljes së rrushit në Rahovec, në edicionin e 14-të ka sjellë shumë risi duke promovuar turizmin kulturor në këtë qytet dhe kësaj radhe edhe me emër tjetër, “HardhFest”.
Festa filloi të shtunën me vjeljen simbolike të një bistaku të rrushit nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Idrizi. Afrim Sharku, përfaqësues i këshillit organizativ të festivalit, foli për risitë e këtij edicioni të HardhFest.
“Ky edicion dallon nga edicionet e mëparëshme sepse ka një dimension më të gjërë, pasi pos promovimit dhe marketingut të rrushit dhe produkteve të tij, ka edhe dimension artistik e bamirës. Në këtë edicion marrin pjesë 43 piktorë të artit pamor nga Gjermania, Belgjika, Bullgaria dhe Kosova. Ky edicion dallon edhe në aspekte tjera, të cilat e kanë bërë madhështor në organizimin e tij”, tha Sharku.
Ndërsa presidentja Jahjaga dhe ministri Krasniqi vlerësuan punën e kultivuesve të rrushit, prodhusve të verës e rakisë, duke theksuar se në fushën e bujqësisë duhet investuar, duke qenë se është ndër sektorët që mund të krijojë edhe shumë vende të reja pune.
“Vendi ynë ka pasuri të mëdha natyrore dhe mund të shndërrohet në një forcë rajonale në fushën e bujqësisë. Toka jonë mund të shndërrohet në prodhuesin më të madh në rajon të prodhimeve të ndryshme bujqësore dhe ne duhet ta garantojmë këtë. Prandaj, na duhen investime më të mëdha në këtë fushë”, tha Jahjaga.
“Jam jashtzakonisht i lumtur që atë për të cilën diskutuam në takimin tim të parë me vreshtarët, për të realizuar një festë madhështore për Rahovecin por edhe për Kosovën, sot po e bëjmë realitet. Ne si ministri dhe si qeveri do të vazhdojmë të mbështesim bujqësinë. Ne kemi rritur buxhetin për të gjithë sektorët, por në veçanti për vreshtarinë dhe verëtarinë dhe jam i bindur që efektet e këtyre angazhimeve do të ndihen në vazhdimësi”, tha ministri Krasniqi.
Në fund të ceremonisë u ndanë edhe shpërblime me vlerë 150 euro për kultivuesit më të mirë të rrushit, verës dhe rakisë. Festa vazhdoi me sofrën tradicionale me verë, raki, por dhe këngë e valle shqipe. HardhFest është organizuar nga Ministria e Bujqësisë, komuna e Rahovecit dhe Shoqata e Vreshtarëve.
Top Channel