
Rahoveci mbledh mijëra vetë këtë fundjavë, në një festival të rrushit dhe verës. Komuna e njohur për vreshta e verë të mirë mirëpret “HardhFest”, një festival ku përveç shijimit të verës, do të këndojnë artistë të njohur nga hapësirat mbarëshqiptare.
Ky festival do të mbahet më 5 dhe 6 shtator nën përkujdesjen e veçantë të ministrit të Bujqësisë, Memli Kransiqi dhe kryetarit të Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi.
Sipas Krasniqit, ky festival është mundësi e mirë për të promovuar tokën dhe bujqësinë e Kosovës.
“‘HardhFest’ apo festivali i vjeljes së rrushit është duke marr një dimension të ri dhe besoj po bëhet pjesë e ngjarjeve më të rëndësishme dhe më kreative në Kosovë në çdo aspekt, duke përfshirë këtu edhe atë promovues dhe kulturor”, u shpreh ministri Krasniqi gjatë një konference për media.
Kurse, Afrim Zharku, nga këshilli organizativ i “HardhFest”, tha se këtë vit organizimit i janë bashkangjitur të rinjtë nga gjitha qytetet e Kosovës dhe Shqipërisë.
Për ata të cilët vijnë nga vende më të largëta, “HardhFest” ka ngritur edhe tendat, në të cilat mund të kalojnë natën të gjithë pjesëmarrësit.
Top Channel