Kosovë, OEAK përshëndet hyrjen në fuqi të paketës së re fiskale

04/09/2015 17:50

Oda Ekonomike Amerikane i bën thirrje Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës, që gjatë periudhës fillestare të hyrjes në fuqi të legjislacionit të ri tatimor, të tregojnë një trajtim më elastik ndaj bizneseve, duke treguar një qasje edukative në vend të asaj ndëshkuese, duke pasur parasysh që dispozitat e reja të ligjeve dhe udhëzimeve të reja administrative kanë sjellë paqartësi dhe konfuzion në mesin e komunitetit të biznesit.

Në një komunikatë, ku përshëndetet hyrja e në fyqi e paketës së re fiskale, thuhet se, në mënyrë që lehtësirat e reja tatimore të kenë vërtet efektin e duhur, Oda Amerikane kërkon nga Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore e Kosovës, që të reduktojnë procedurat burokratike dhe administrative për përfitimin e lehtësive, si dhe qartësimin e mëtejshëm të disa dispozitave të rëndësishme ligjore, siç janë trajtimi i shpenzimeve të krijuara jashtë vendit dhe procedurat e transferimit të çmimeve.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se, legjislacioni i ri do të mundësojë fuqizimin e sektorit privat dhe pasurimin e ofertës së vendit për investitorët e huaj. Vendime të tilla janë përgjigje e thirrjeve disavjeçare të Odës Amerikane dhe asociacioneve të tjera të biznesit në vend, për krijimin e lehtësirave gjithëpërfshirëse fiskale, thuhet në komunikatën e kësaj ode.

“Pavarësisht pakënaqësisë me përshkallëzimin e normave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, Oda Amerikane vlerëson gjithashtu si pozitive, pranimin e shpenzimeve të plota të trajnimeve për punonjësit e ndërmarrjeve kosovare, duke e vlerësuar këtë vendim në funksion të ngritjes së kapaciteteve njerëzore”.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ripërsërit kërkesën e saj, për zgjerimin e mëtejshëm të listës së lëndëve të para të lehtësuara nga detyrimet doganore dhe riaktivizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, si një organ i rëndësishëm për shqyrtimin e ankesave të komuniteti të biznesit kundër institucioneve përgjegjëse për mbledhjen e të ardhurave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA