Nga Rezart Cenaj – Vagonët e kuajve u nisën nga Budapesti, Praga, Parisi. Brenda kishte grumbuj me nga 70 vetë: burra, gra, fëmijë dhe të moshuar. As ujë, as bukë, as hapësirë për t’u shtrirë. Ata që nuk e përballonin, vdisnin në këmbë. Rabinët i luteshin Yahweh-së (Zotit) dhe u jepnin kurajë bashkudhëtarëve, duke treguar historinë e Job-it, i cili kurrë nuk u ankua me çka i sillte Zoti. Por fëmijët qanin dhe gratë i shtrëngonin në krahët e tyre. Ndërsa burrat shtrëngonin dhëmbët nga dhembja.
Viktimat ishin hebrenj, njerëz të shtypur që vinin nga Italia, Hungaria, Franca, Polonia … nga Europa. Ekzekutorët ishin nazistët, në bashkëpunim me zyrtarët e qeverive të çdo vendi të pushtuar.
Shtatëdhjetë vite më pas, Holokausti vazhdon. Shtatëdhjetë individë të vdekur nga asfiksia në brendësi të një kamioni-frigorifer për pula. Në Austri. Në kërthizën e Europës. Në vendlindjen e Mozartit dhe në atë të Hitlerit.
Vagonët për kuaj evoluuan. U shndërruan në kamionë-frigoriferë për pula dhe të vdekurit nuk janë më hebrenj, por prapë se prapë, njerëz të shtypur. Ndoshta sirianë, ndoshta afganë apo tunizianë, myslimanë, të krishterë, në mos ateistë. Pavarësisht besimit, racës apo kombësisë, të gjithë qenie njerëzore janë. Por sa naiv mund të arrijë të jetë sot ky mendim?
Këta individë pa emër dhe, gati-gati, pa tipare në fytyrë, arratisen nga flakët e ferrit për t’u shuar në ujë. Mesdheu është shndërruar në varrezën më të madhe që mbyt refugjatët.
Kompanitë shumëkombëshe janë duke përgatitur superarmën “TIP” (marrëveshjen transatlantike për partneritet ndërmjet SHBA-së dhe BE-së në tregti e investime) për të integruar kategorinë e nënnjerëzve, por edhe shtresën e ulët të atyre vendeve perëndimore, që mendojnë se kanë të drejtën të jetojnë mirë dhe të lumtur për arsye se nuk i përkasin Botës së Tretë.
Industritë e mëdha luftarake, si SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca u shesin armë fondamentalistëve për të shkatërruar qytetërime dhe / ose për të vrarë bashkëqytetarët e tyre. Turqit bombardojnë terroristët kurdë, bastionin e fundit ndërmjet ISIS dhe Europës së shndritshme.
Qeveritë europiane dhe institucionet e BE-së, që i nënshtrohen një kontrolli de facto nga kompanitë shumëkombëshe, tregu i plotfuqishëm, janë thjesht duke e pëshpëritur “çështjen e imigrantëve”, ndërkohë që janë vetë ata prodhuesit e refugjatëve dhe imigrantëve.
Në një analizë të kohëve të fundit, publicisti Roncagliolo shprehet se dikur kishte njohur një fëmijë me sindromën Asperger. Fëmija ishte i urtë dhe i zgjuar, por i kushtonte të krijonte marrëdhënie me individët e tjerë. Kur takonte dikë, ndonjëherë mbyllej në vetvete dhe, herë të tjera, nga frustrimi, fillonte të gjuante me shkelma të tjerët përreth, pa kuptuar dëmin që po shkaktonte. Pra, nuk ishte i aftë të perceptonte dhembjen që veprimet e tij shkaktonin te të tjerët.
Sipas tij, diçka e tillë ndodh edhe me Europën sot. Ishin pikërisht ndërhyrjet ushtarake perëndimore ato të cilat po shkaktojnë sot këtë valë migrimi. Kjo gjendje nuk ka as tiparet e një surprize dhe as nuk është e pariparueshme. Por, për të kuruar, më parë duhet të pranosh sëmundjen.
Thënë ndryshe, qeveritë e Europës nuk kanë synim tjetër veçse ruajtjen e fuqisë së tregut. Por ky nuk është kurrsesi fundi i historisë. Kjo është lufta më e madhe e zhvilluar ndonjëherë. Dhe, pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë bombë atomike. Ka veçse marrëveshje ekonomike.
Kjo çon në heqjen e çdo të drejte socio-politike, privimin nga çdo zgjidhje alternative, talljen me demokracinë. Është iluzioni i të ndjerit i sigurt, realiteti virtual i një bote ku vetëm ti mund të notosh, ndërkohë që të tjerët i lë pas të fundosen.
Rezultati është një Europë e zënë peng nga vetë kontradiktat e saj, e minuar nga dyshimi në vetvete dhe që, më e pakta që mund të thuhet për të është se, i ka kthyer shpatullat vlerave të saj. Ka harruar se cila është.
Sipas ekstremistëve të djathtë europianë, këta imigrantë duhet të hipin sërish në barka e të kthehen nga kanë ardhur. Kështu, lajmë duart dhe vazhdon e lumtur jeta jonë europiane me kredi dhe udhëtime në fundjavë. Por ka nga ata që nuk e mbështesin këtë sjellje prej Pilati. Joschka Fischer mendon se Europa nuk duhet t’i shohë refugjatët si kërcënim, por si një mundësi të re.
Në një luftë të tillë të thonë që armiku ynë është refugjati, imigranti, i varfri, i papuni, pensionisti, shqiptari, gjermani, afgani, siriani, kinezi, zezaku, myslimani, çifuti, i sëmuri mendor, i prekuri nga kanceri. Tjetri. I huaji. Dhe do të vijë momenti që të fillojmë të vrasim njëri-tjetrin për të nderuar bamirësit, ata që na lejuan të mbijetojmë, me qëllim që të blejmë plehrat e tyre mutante.
Holokausti vazhdon. Lufta është globale, e heshtur, por e ashpër. Të gjithë ne jemi nënnjerëz, viktimat e radhës për një vagon kuajsh apo qoftë edhe për kamionët frigoriferikë të pulave.
Shpresa jonë e fundit është të kuptojnë se kush është armiku.
Për sa i përket popullit tonë, ai ka qenë historikisht një popull shtegtar, në kërkim të një toke të premtuar diku larg. Ndoshta është pikërisht ky shkaku pse në Shqipëri, kur pasqyrohet kjo krizë, përdoret termi “emigrant” dhe jo “imigrant”. Ne jemi një vend potencialisht i prekur nga kjo turbullirë, dërgues të rregullt emigrantësh, por që, me këtë hap, mund të shndërrohemi lehtësisht edhe në pritës “imigrantësh”.
Gazeta “Shqip”
Top Channel