Pasditen e së enjtes ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, i ekstraduar nga Gjermania, shtetasi Euxhen Muka, 30 vjeç, i akuzuar për “vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpuim”.
Ndaj shtetasit 30-vjeçar me banim në Shijak është dhënë më parë masa “arrest me burg” nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, më 17 shtator 2014, për veprën penale, të cilën, siç mësohet nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Euxhen Muka e ka kryer më 5 qershor 2011 në bashkëpunim me shtetasin Lefter Keçi, 30 vjeç. Të dy këta kanë vrarë për motive të dobëta shtetasen 33-vjeçare R.K., banuese në Kavajë.
Euxhen Muka ishte shpallur në kërkim “me kartelë të kuqe”, si dhe në kërkim ndërkombëtar që prej 22 shtatorit 2014. Ndërkohë, shtetasi tjetër Lefter Keçi është ekstraduar nga Italia që prej 13 shkurtit 2014 dhe vuan aktualisht dënimin penal.
Muka ndodhet aktualisht në IEVP-në e Tiranës.
Top Channel