Një grindje e ndodhur mes dy personave ka regjistruar një të vdekur në një fshat të komunës Vërtop, bashkuar tashmë me Bashkinë e Poliçanit. Pas një konflikti për motive të dobëta, Fatmir Bregu, 34 vjeç, banues në fshatin Lybesh, mësohet se ka qëlluar me armë zjarri 28-vjeçarin Namik Gjika, larguar nga fshati vitet e fundit drejt qytetit të Lushnjes.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, shumë pranë një lokali në qendër të fshatit. Autori dhe viktima mësohet se janë grindur me njëri-tjetrin për shkak të një vije uji. Viktima mësohet se i kishte kërkuar ish-bashkëfshatarit që të vadiste tokat e tij, pasi do të largohej drejt qytetit ku jetonte. Por, ky i fundit nuk ka pranuar që vija e ujit të kalonte fillimisht në tokat e Gjikës.
Kaq ka mjaftuar dhe mes tyre ka nisur sherri, gjatë të cilit 34-vjeçari ka shkuar në banesë dhe është rikthyer me një armë automatike dhe ka qëlluar Gjikën, duke e lënë të vdekur në vend. Pa mundur të marrë as ndihmën e parë mjekësore, Gjika ka gjetur vdekjen, ndërkohë që trupi i pajetë u përcoll drejt spitalit rajonal të Beratit për hetime të mëtejshme.
Drejt vendit të ngjarjes kanë mbëritur më pas ekspertë të policisë, të cilët nisën hetimet rreth ngjarjes, ku u bë i mundur dhe identifikimi i autorit.
Top Channel