Hije trukimi mbi Skënderbeun; “Federbet” heton dy ndeshje europiane

28/08/2015 00:00

Aventura dhe rekordi i skuadrës së Skënderbeut në kupat e Europës njolloset nga dyshimet se skuadra kampione e Shqipërisë ka trukuar të paktën dy takime.

Gazeta spanjolle “El Pais” thotë se “Federbet”, një organizatë e ngritur nga Komisioni i Europës për të luftuar trukimet në fushën e sportit, po heton skuadrën shqiptare në dy takime.

I pari është takimi i luajtur me irlandezo-veriorët e Crussaders në Irlandë, ku korçarët humbën me rezultatin 3-2. Deri pak minuta para përfundimit të takimit rezultati ishte 2-1 në favor të Skënderbeut, por vendasit përmbysën gjithçka brenda pak sekondave.

Kjo ka ngjallur dyshime për një trukim të mundshëm të ndeshjes dhe “Federbet” thotë se po heton “sjelljen e lojtarëve të Skënderbeut në fushë” në minutat e fundit të ndeshjes. Dyshimet janë përforcuar edhe nga kuotimet në baste, por edhe nga një deklaratë e mëpasshme e portierit të Crussaders, që akuzoi skuadrën shqiptare për trukime.

Takimi i dytë që hetohet është ai i kthimit me Dinamon e Zagrebit. “Federbet” po heton pjesën e dytë të ndeshjes, kur kroatët, megjithëse ndodheshin me një lojtar më pak në fushë, shënuan edhe dy gola të tjerë. Përveç kësaj, kuotat në baste për vendasit me 10 lojtarë në fushë, në vend që të rriteshin, u ulën.

Skënderbeu kaloi irlandezoveriorët e Crussaders dhe moldavët e Milsamit, por ëndrra për të vazhduar në grupet e Ligës së Kampioneve u shfry në përballjen me Dinamon e Zagrebit. Kroatët fituan të dyja takimet, të parin në Elbasan Arena me rezultatin 2-1 dhe të dytin në Kroaci 4-1.

Por aventura e korçarëve në kupat e Europës nuk mbyllet këtu. Kampionët e Shqipërisë do të luajnë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, ku presin këtë të premte hedhjen e shortit për të mësuar kundërshtarët.

Top Channel