
Në ditën kur Kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë janë ulur në tavolinën e bisedimeve për t’i dhënë vulën përfundimtare diskutimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kanë vërshuar opinionet e zyrtarëve partiakë e institucionalë për rrezikun që mund të bartë krijimi i këtij mekanizmi.
Lutfi Haziri, pjesë e partisë së Kryeministrit Mustafa, thotë se ajo çfarë serbët kërkojnë është vendosja e pushtetit të tretë në Kosovë, që çon drejt një autonomie territoriale e politike për qytetarët që jetojnë brenda Kosovës, duke hapur një korridor në veri të Kosovës, që siç shkruan Haziri në “Facebook” lidhet me korridore të komunave që janë me shumicë serbe dhe depërton në brendësi të Kosovës, në juglindje të saj dhe lidhet territorialisht me Serbinë.
Kjo çështje ishte diskutuar edhe në bisedimet e Vjenës, sipas axhendës së Beogradit, kujton Haziri, por për shkak që ishte në kundërshtim me kornizën kushtetuese nuk ka ecur përpara.
Për ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, zanafilla e problemit është marrëveshja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, e miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.
“Pra, problemi nuk është asociacioni, problemi është hapja për diskutim e pakos sa Ahtisarit, e mbi të gjitha hapja e bisedimeve politike me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës”, shkruan ndër të tjera Krasniqi në një shkrim autorial dërguar mediave.
Edhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, akuzon Qeverinë e Kosovës se përmes krijimit të asociacionit po e rrënon tërësisht funksionalitetin e shtetit nga brenda, duke e legjitimuar krijimin e një entiteti të pavarur, dhe me këtë përfundimisht, sipas Limajt, duke e ndarë Kosovën edhe në mënyrë faktike dhe me marrëveshje ndërkombëtare.
Zyrtari i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka bërë edhe një studim për temën, shpalosë qëllimet e kundërta të palëve nga ky mekanizëm. “Përshembull, nëse Kosova synon që të integrojë serbët, duke e parë asociacionin si instrument lehtësues për hartimin e politikave publike komunale për komunat me shumicë serbe, synimi i Beogradit është që ai të krijohet mbi kriterin e etnisë dhe si adresë kryesore për vendimmarrje për serbët e Kosovës, duke rënë ndesh me kriterin e shtetësisë”, thotë Tahiri.
Top Channel