Marrëveshjet, Jahjaga: Janë në të mirën e Kosovës

25/08/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka përshëndetur nënshkrimin e katër marrëveshjeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të martën në mbrëmje në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, si një moment të rëndësishëm për fuqizimin e rendit kushtetues dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Presidentja Jahjaga, e cila zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin Isa Mustafa, që ishte edhe udhëheqës i delegacionit shtetëror në bisedimet me Serbinë, theksoi se “marrëveshjet forcojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe integritetin territorial, dhe aspiratën tonë për ta bërë Kosovën shtet gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe me prosperitet.”

Sipas Presidentes së Kosovës, marrëveshjet ndihmojnë edhe në integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

“Arritja e pakos së marrëveshjeve, përfshirë kodin e mëvetësishëm telefonik, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e Republikës së Kosovës në procesin e dialogut, suksesi i të cilit do t’i ndihmojë edhe konsolidimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe perspektivës së saj të qartë europiane”, thuhet në deklaratën e Presidencës së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA