Përse keqkuptohen njerëzit me njëri-tjetrin?

24/08/2015 00:00

Shkenca e studimit të mendjes ka zbuluar se njerëzit mund të mendojnë se janë të qartë për të tjerët, por në fakt ata janë shumë misteriozë dhe shpesh nuk kuptohen mirë për synimet që kanë.

Në librin “Askush nuk ju kupton dhe çfarë të bëni për këtë”, autorja Heidi Grant Halvorson u tregon lexuesve historinë e shokut të saj, Tim. Kur Timi filloi punë si një menaxher, një nga prioritetet e tij kryesore ishte të komunikonte me skuadrën e tij dhe të dëgjonte me kujdes planet dhe ecurinë e secilit.

Por pas disa mbledhjesh, Timi dërgoi mesazhe të ndryshme nga ato që ai kishte si qëllim. Fytyra e tij e të dëgjuarit aktiv, i bëri kolegët të mendonin se ai ishte i zemëruar me ta. Ata i shpjeguan se shprehja e tij e fytyrës kur dëgjonte fjalët e tyre, ngjante si e zemëruar.

Për Halvorson, një psikologe sociale nga Shkolla e Biznesit të Kolumbias, historia e Timit cek një nga problemet kryesore të qenieve njerëzore: mënyrën tuaj të veprimit, të tjerët mund ta marrin ndryshe.

Një person mund të mendojë, për shembull, se duke i ofruar ndihmë një kolegu, ajo po tregon bujari. Por kolegu i saj mund ta interpretojë si mungesë besimi në aftësitë e tij. Por ashtu si ai e keqkupton ofertën e saj dhe ajo mund ta keqkuptojë refuzimin e tij. Ajo do të mendojë se i ofroi atij ndihmë, për shkak se kishte mbingarkesë pune, ndërsa ai mban krenarinë dhe nuk dëshiron bashkëpunim.

Këto lloje keqkuptimesh shpesh çojnë në konflikte jo vetëm në punë, por edhe në shtëpi. Sa debate fillojnë vetëm se një person keqinterpreton ato që i thotë tjetri.

Shumicën e kohës, thotë Halvorson, njerëzit nuk e kuptojnë se nuk po e hamendësojnë mirë situatën. Nëse i kërkoni dikujt të shprehë disa nga karakteristikat tuaja dhe i listoni edhe ju vetë mendimet që keni për veten, shumë pak prej tyre do të jenë të përbashkëta. Kjo, sepse ka ndryshim midis asaj që njerëzit shohin te ju dhe mënyrës si e shihni veten.

Ky ndryshim ndodh për shkak të disa sjelljeve të çuditshme të psikologjisë njerëzore. Së pari, shumica e njerëzve vuajnë nga ajo që psikologët e quajnë ‘iluzioni i transparencës’, besimi se ndjenjat, dëshirat dhe qëllimet e tyre janë transparente për të tjerët, edhe pse ata komunikojnë shumë pak dhe jo qartë për atë që kanë në mendje.

Për shkak të këtij perceptimi të qartësisë, ata mund të mos marrin kohë për të qartësuar qëllimet dhe emocionet e tyre. Po ashtu, fytyra që ju mund të mendoni se po bëni dhe fytyra që keni bërë, në fakt mund të jenë dy gjëra të kundërta që përcjellin tjetër mesazh te ju dhe mesazh të ndryshëm te të tjerët.

Sipas fituesit të çmimit “Nobel”, Daniel Kahneman, ka dy mënyra se si mendja e përpunon informacionin, përfshirë atë rreth të tjerëve. Përmes proceseve konjitive që Kahneman i quan Sistemi 1 dhe Sistemi 2, shfaqen dy lloje të ndryshme arsyetimi.

Sistemi 1 e përpunon informacionin shpejt, me intuitë dhe automatikisht. Sistemi 1 funksionon kur individët përfshihen në mendim që nuk kërkon shumë përpjekje, si për shembull zgjidhja e problemeve të thjeshta matematikore ose drejtimi i makinës në rrugë të njohur.

Kur vjen puna te perceptimi social, Sistemi 1 përdor rrugë të shkurtra për të arritur përfundimin rreth të tjerëve. Ka shumë raste kur mendja i bie shkurt, si për shembull kur lexon gjuhën e trupit, shprehjet e fytyrës, qëllimet etj.

Në anën tjetër kemi Sistemin 2, ku njeriu e përpunon informacionin në bazë të ndërgjegjes, arsyes dhe mënyrës së diskutimit. Ky sistem funksionon për shembull kur një individ bën probleme të ndërlikuara matematikore, kur ai ecën në rrugë të panjohura ose kur do të kuptojë një shkak për një sjellje të panjohur.

Ndryshe nga Sistemi 1, ku mendimi është automatik dhe pa lodhje, në Sistemin 2 mendimi merr shumë energji. Është e rëndësishme të dimë se Sistemi 2 korrigjon vlerësimin e Sistemit 1 për një çështje të caktuar. Por, ky sistem kërkon shumë përpjekje dhe energji mendore. Ndaj, njerëzit duhet të jenë mjaft të motivuar që të përfshihen në këtë lloj mendimi.

Kështu, shumica e njerëzve i bien shkurt arsyetimit dhe përfundojnë duke përdorur Sistemin 1, i cili nuk mbështetet edhe aq shumë në arsyetimin e thellë.
Perceptimi njerëzor për fjalët, shprehjet e fytyrës dhe sjelljet e njerëzve është i cekët dhe çon shpesh në keqkuptim. Po ashtu, perceptimi errësohet shumë nga eksperienca e një njeriu, nga emocionet e tij dhe nga paragjykimet që ka.

Siç thotë dhe Halvorson, çdokush ka një axhendë të vetën kur vepron me një person tjetër. Kjo axhendë është zakonisht një përpjekje për të përcaktuar një nga tri pjesët e informacionit rreth asaj që percepton. A është ky person i besueshëm? A është ky person i dobishëm për mua? A e kërcënon ky person vetëvlerësimin tim?

Përgjigjja që marrim për këto pyetje e bën tjetrin të gjykojë pozitivisht ose negativisht. Studiuesit kanë zbuluar se individët duhet të ruajnë një ndjenjë pozitive për veten që të funksionojnë mirë.

Duke marrë parasysh këto pengesa në kuptimin e komunikimin mes njerëzve, çfarë duhet të bëjnë njerëzit pra, që të kenë të qarta qëllimet e të tjerëve?

Një studim duket se mban përgjigjen e saktë për këtë dilemë. Nëse doni të mos keqkuptoheni, sigurohuni që ta përcillni synimin ose dëshirën tuaj sa më qartë që të jetë e mundur tek ai që merr mesazhin.

Gazeta “SHQIP”

Top Channel