
Pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë kërkojnë nga qeveria e Kosovës të mos lejojë bartjen e kompetencave ekzekutive për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Instituti Demokratik i Kosovës nëpërmjet një komunikate për media, duke komentuar idenë për themelimin e një asociacioni të komunave serbe, kërkon që qëllimi i këtij asociacioni të jetë mbrojtja dhe promovimi i interesave të përbashkëta brenda kompetencave ekzistuese të komunave që do ta përbëjnë atë, ashtu siç parashihet në pakon e Ahtisarit Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Por Instituti Demokratik i Kosovës i kërkon qeverisë që të mos lëshohet në bartje apo delegim të kompetencave të nivelit komunal te një entitet i tretë, i cili ekskluzivisht mund t’i ushtrojë ato kompetenca pa aprovimin e gjitha Kuvendeve Komunale që e përbëjnë atë entitet.
Gjithashtu KDI-ja e quan jo kushtetuese emërtimin e asociacionit si asociacion i komunave me shumicë serbe, pasi kjo sipas kësaj organizate është jo kushtetuese, për shkak që do të ishte pretendim që këto komuna të jenë të një shteti tjetër, pra republikës së Serbisë.
Komunat në territorin e Republikës së Kosovës janë të Kosovës qofshin ato me përbërje të shumicës serbe, shqiptare apo turke thuhet në reagimin e KDI-së. Ky reagim vjen pikërisht në ditën kur autoritetet qeveritare po zhvillojnë bisedimet me palën serbe në Bruksel në nivelin teknik, ndërsa një ditë më vonë, të martën kryeministri Isa Mustafa do ta takojë homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç. Është paralajmëruar që në këtë raund bisedimesh të arrihet marrëveshja për asociacionin e komunave serbe.
Top Channel