Totti “ngroh” pankinën për 90 minuta. Hera e parë në 24 vite karrierë

23/08/2015 00:00

Me ardhjen e Edin Dzekos te Roma, në formë huazimi nga Manchester City, u kuptua fare qartë se cili do të jetë roli i Francesco Tottit gjatë këtij sezoni të ri të Serie A, që çeli siparin ditën e shtunë me ndeshjen Verona-Roma.

I kishte ndodhur në të kaluarën, që të mos thirrej fare për një ndeshje, por kurrë në këto 24 vite karrierë të përjashtohej për zgjedhje teknike. Ta shohësh kapitenin e Romës në pankinë për 90 minuta ka qenë një risi absolute për kampionatin italian, të paktën kështu e cilësojnë mediat sportive.

Rudi Garcia është “arkitekti” i këtij rekordi, duke u bërë trajneri i parë në histori që e lë në pankinë kapitenin, në ndeshjen debutuese të kampionatit. Në pjesën e dytë, kur skuadra romaniste ishte në disavantazh të një goli dhe më pas, kur donte ta përmbyste rezultatin, tekniku francez ka zgjedhur Iago Falque dhe Keita e në fund edhe Ibarbo. Ditën e djeshme, Totti thjesht nuk ishte mes 5 zgjedhjeve të para për sulmin e verdhekuqve.

E bujshme, por jo edhe aq shumë e çuditshme, kur dihet mosha e lojtarit. Totti ka debutuar për herë të parë me fanelën e Romës në vitin 1993 dhe sigurisht, atëherë nuk u grumbullua në ndeshjen hapëse të Serie A, ashtu sikurse edhe sezonin pasardhës.

Në sezonin e tij të parë si protagonist, 1994-’95, Totti luajti si titullar në “Olimpico” kundër Foggias, ku shënoi edhe golin e parë të ndeshjes në moshën 17-vjeçari. E kishte nisur një kampionat nga pankina në dy raste të tjera; me Piacenzan në 1996-n dhe Bolognan në 2002-shin, por në të dyja këto raste hyri si zëvendësues gjatë lojës. Ndërsa në disa edicione të tjera, si ndaj Empolit në 1997, Udinezes në 2003 dhe Napolit në 2008, ai nuk u grumbullua fare në 16-she. Por, prej 2009-s ai ka qenë gjithnjë titullar, deri në befasinë e djeshme.

Top Channel