F1, asnjë ndryshim thelbësor. Mercedesi dominon provat e para të lira në Spa

21/08/2015 00:00

Sesioni i parë i provave të lira në Spa Francorchamps të Belgjikës, në garën e parë të pjesës së dytë të sezonit pas pushimeve verore, dominohet sërish nga Mercedesi, e në ndjekje të tij vihen Ferrari e Red Bull.

Pavarësisht eksperimenteve të shumta aerodinamike, dy “shigjetat e argjendta” ruajnë ende epërsi ndaj rivalëve të tjerë, edhe pse në këtë sesion ka qenë Rosberg ai që ka lënë pas kampionin në fuqi Hamilton.

Gjermani ka shënuar kohën 1 min 51 sek e 082 të mijëtat, ndërsa britaniku është renditur me 242 të mijëtat më vonë. Ferrari e ka fituar me meritë emrin, si rivali i vetëm më i afërt i dy makinave Mercedes, por këtë herë janë vendosur mes dy makinave Red Bull, me Ricciardon në vendin e tretë dhe Kvyat në vendin e 6.

Raikkonen, i cili sapo ka rinovuar me Ferrarin, është renditur më mirë sesa shoku i tij i skuadrës, Sebastian Vettel, respektivisht në vendet 4-5, duke konfirmuar edhe njëherë se për finlandezin kjo pistë mbetet ndër më të preferuarat.

Shumë larg duken dy makinat Wlliams, të Valtteri Bottas dhe Felipe Massas, respektivisht në vendet 10 dhe 14, por me kohë të kënaqshme kanë rezultuar edhe dy pilotët tjetër të skuderisë “satelit” të Red Bullit, Sauber Toro Rosso Renault, si Verstappen dhe Carlos Sainz, i shtati dhe i teti.

Alonso mbetet shumë larg, vetëm i 16-i, kurse shoku i skuadrës, gjithashtu ish-kampion bote, Button në vendin e 18.

Provat për “pole position” dhe gara për Çmimin e Madh të Belgjikës, në Spa Francorchamps, do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën, në orën 14:00, dhe do të transmetohen drejtpërdrejt në Top Channel dhe Top Channel HD.

Top Channel