Spanjollja ‘Marca’, artikull dedikuar Skënderbeut në Champions

20/08/2015 00:00

Paraqitja e shkëlqyer e Skënderbeut në arenën evropiane ka bërë që të flitet për skuadrën tonë kampione. E përditshmja spanjolle ‘Marca’ ka publikuar një artikull me titull “Rezistenca e palodhur e Skënderbeut të Korçës”, ku theksohet se skuadra shqiptare ka bërë tashmë historinë në aktivitetin më të rëndësishëm evropian, duke u kualifikuar për në fazën “play off”. 

“Kur kanë mbetur 90 minuta lojë, për Skënderbeun kualifikimi në fazën e grupeve është një mision i vështirë, por jo i pamundur”, lexohet në artikullin e kësaj të përditshmeje që më pas përmend edhe diçka nga historiku i kësaj skuadre, duke filluar që nga emri tij.

“Skënderbeu ishte një hero ushtarak i shekullit të 15 që luftoi kundër otomanëve duke imponuar rezistencë. Ai u konsiderua si babai i identitetit shqiptar dhe si i tillë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ka një shesh dhe statujë me emrin e tij. Për heroin Skënderbe janë thurur elozhe edhe nga Volteri, ndërkohë që edhe Vivaldi i dedikoi vepër muzikore”, lexohet në artikullin e sportives madrilene.

“Sido që të shkojë ndeshja në Kroaci, shqiptarët udhëtojnë me rezultatin 1-2 të sfidës së parë dhe me sigurinë e pjesëmarrjes në fazën e grupeve të Europa League. Është pothuajse një utopi e bërë realitet dhe që do të shkruhet në historinë e futbollit shqiptar. Në fund të fundit, ai që nuk ka asgjë për të humbur, është kampion tashmë”, mbyll artikullin e saj e përditshmja prestigjoze.

Top Channel