La Liga imiton kampionatin anglez, ndeshje edhe gjatë festave të fundvitit

20/08/2015 00:00

Të luash futboll ditën pas Krishtlindjes, apo edhe me të hyrë Viti i Ri, kjo është një gjë normale për futbollin anglez, teksa jemi mësuar shpesh të shohim ekipet e Premier League të zbresin në fushat e blerta gjatë festave të fundvitit.

Por, diçka e tillë pritet të ndodhë edhe me futbollin spanjoll, duke nisur nga ky sezon futbollistik, kur në fakt Federata spanjolle e Futbollit ka vendosur të pranojë propozimin e Shoqatës së Futbollistëve Spanjollë dhe të kënaqë në këtë mënyrë edhe tifozët.

Konkretisht, këtë fundvit do të zhvillohen ndeshje të La Ligas edhe ditën e Krishtlindjes, ose pasardhësen e saj që njihet si dita e shpërndarjes së dhuratave, ashtu sikurse edhe në datat 30-31 dhjetor.

Me këtë vendim pritet që kampionati spanjoll të përfundojë një javë më herët nga sa ishte parashikuar, duke e shtyrë finalen e Kupës së Mbretit një javë më vonë. Por, a është thjesht një veprim për të gëzuar tifozët që mund të ndiqet edhe në sezonet e ardhshme, apo i ndikuar nga finalet e Europianit 2016 të organizuara nga Franca?

Top Channel