Bode: Qeveria dështoi në ekonomi, e futi atë në krizë

19/08/2015 00:00

Për Ridvan Boden, politikat fiskale të qeverisë janë të dështuara, duke vënë në vështirësi jo vetëm biznesin, por tërë ekonominë kombëtare.

“E gjithë politika fiskale që tentoi të ndërtonte qeveria bazuar në progresivitetin dhe në taksimin e fortë, ishte një politikë tërësisht e dështuar që nuk dha asnjë rezultat. Kjo është arsyeja kryesore përse rishikohet buxheti”, u shpreh Bode.

Ish-kryefinancieri i djathtë thotë se, rritja e taksave dhe një sërë masash të tjera kundër biznesit kanë rritur pasiguritë në treg, çka – sipas tij, – mund ta mbajnë ekonominë të mbërthyer në krizë për një periudhë të gjatë.

“Aspekti psikologjik, që përjetojnë qoftë konsumatori, ashtu dhe komuniteti i biznesit, janë negative dhe të tilla, që do të persistojnë në periudhë afagjatë për të shpresuar një ringritje. Por në këto rrethana ringritja do të jetë shumë e vështirë”, vijoi më tej ish-ministri i Financave, Bode.

Sipas ish-kreut të Financave, kjo agoni e ekonomisë rrezikon të ushqehet edhe nga një tjetër problem strukturor.

“Ky moment i vështirësisë ekstreme të ekonomisë reale dhe bizneseve, sigurisht do të shtojë problemet e ristrukturimit të tyre. Qoftë ristrukturimit të brendshëm financiar të bizneseve, ashtu dhe rialokimit të kapitaleve në sektorë apo industri, të cilat mund të duken me perspektivë më të qartë. Por, me pasivitetin që ka sistemi aktual bankar dhe me politikat jo miqësore të Qeverisë në raport me biznesin, kam frikë se do të dëmtohet pjesa e biznesit që kanë shpresë dhe që kanë një rentabilitet më të lartë, e do të mbijetojë biznesi që konsumon shumë për të prodhuar pak”, u shpreh Ridvan Bode.

Sipas tij, rritja e dobët ekonomike e kombinuar me borxhin e lartë kanë shtuar rreziqet edhe për qëndrueshmërinë financiare të vendit. Bode paralajmëron se, kreditë që Qeveria po merr nga jashtë, ndonëse mund të duken si lehtësim në periudhë afatshkurtër, do të jenë rrezik për financat publike.

“Sot, niveli i Euroborit është i ulët, por në momentin kur ekonomia europiane do të rifillojë të gjallërohet dhe kur tregu financiar europian do të ketë hapësirë për të investuar, sigurisht që do të luhatet dhe, prej atij momenti, rritja e kostot së shërbimit të borxhit publik do të përbëjë një problem në vetvete të borxhit publik shqiptar, për të konsumuar burime të mëdha financiare, që mund të investoheshin dhe përdoreshin në sektorë të tjerë, për të nxitur ekonominë dhe për të përmirësuar shërbimet e tjera të qeverisë”, deklaroi ish-ministri Bode.

Për vitin aktual, qeveria e korrigjoi me ulje rritjen e parashikuar ekonomike, nga 3 në 2.7 për qind, ndërkohë që pak ditë më parë ajo uli edhe vlerësimet e rritjes për të 3 vitet e ardhshme.

Top Channel