Atletika kosovare pranohet me të drejta të plota në IAAF

19/08/2015 00:00

Federata e Atletikës së Kosovës pranohet me të drejta të plota në Federatën Botërore të Atletikës, në kongresin e 50-të të kësaj federate që është mbajtur në Pekin të Kinës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, uroi Federatën e Atletikës së Kosovës, duke thënë se ky është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për atletikën e Kosovës dhe sportin në përgjithësi.

Ai përgëzoi drejtuesit e federatës dhe atletët e Kosovës, duke iu uruar suksese në avancimin e mëtejme të këtij sporti në arenën ndërkombëtare.

“Sporti i Kosovës gjithnjë e më shumë po ndërkombëtarizohet. Ky është edhe një hap i rëndësishëm që ndihmon dhe përshpejton ndërkombëtarizimin, si dhe njohjen e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar ministri Shala, duke shtuar se Ministria e Kulturës do të mbështesë në vazhdimësi sportin e Kosovës, sidomos në ngritjen e cilësisë dhe afirmimit në rrafshin ndërkombëtar.

Vendimin e mirëpriti edhe ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku. “Një tjetër derë e madhe është hapur, Kosova tani anëtare me të dretja të plota në Federatën Botërore të Atletikës”, ka shkruar ai në Twitter.

Top Channel