
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar familjen Stavileci për vdekjen e akademikut Esat Stavileci.
“Akademik Stavileci do të mbahet mend ndër breza për kontributin e jashtëzakonshëm shkencor në fushën juridike-kushtetuese dhe për kontributin e jashtëzakonshëm për vendin e tij. Ndarja nga jeta e akademik Esat Stavilecit, është humbje e madhe jo vetëm për ju e nderuara familje Stavileci, por edhe për gjithë komunitetin shkencor të Kosovës, për miqtë, për bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata studiues që patën fatin të punojnë me të dhe të mësojnë nga ai. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Jahjaga.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka ngushëlluar familjen Stavileci dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ekspertit të shquar në fushën e shkencave juridike, Akademik Esat Stavilecit.
“Me pikëllim dhe dhembje të madhe e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Esat Stavilecit. Me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm gjatë dekadave të kaluara, ka dhënë kontribut të madh për Kosovën, veçanërisht në avancimin e gjithanshëm të shkencave juridike në shtetin e Kosovës. Akademik Esat Stavileci, do të përkujtohet gjithnjë si një profesor frymëzues për breza të tërë të juristëve të Kosovës dhe për punën dhe kontributin e madh në fushën e studimeve juridike në Kosovë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, përmes një postimi në “Facebook” ka ngushëlluar familjen e akademikut Esat Stavileci.
“Sot të gjithë ne e humbëm një mik, një profesor, një akademik, një shkencëtar, një mentor që me përkushtimin e tij dhe me profesionalizmin ishte shembull për të gjithë se si të punohet dhe të jetohet. Do ta kujtojmë përgjithmonë si patriot, si një ndër akademikët, juristët e profesorët më të mirë që ka pasur Kosova. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të akademik Esat Stavilecit.” ka shkruar zv/kryeministri Thaçi.
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, e ka ngushëlluar familjen Stavileci, komunitetin shkencor dhe akademik si dhe studentët e Kosovës, për vdekjen e Akademik Esat Stavilecit.
Në telegramin e tij, ndër të tjera thuhet “vdekja e hershme e tij, është një humbje e madhe, për familjen, për miqtë, për studentët dhe për të gjithë ne. Është një humbje e madhe për komunitetin shkencor dhe akademik shqiptar. Akademik Stavileci, do të kujtohet gjithmonë si njëra prej mendjeve të ndritura të Kosovës. Ai ishte frymëzim jo vetëm për studentët dhe bashkëpunëtorët e tij, por për të gjithë popullin e Kosovës. Prandaj ju lutem që të pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta të cilat i shpreh edhe në emër të anëtarësisë së AAK-së dhe të familjes sime”.
Top Channel