Kampionati më spektakolar i basketbollit në botë, NBA do të startojë më 27 tetor.
Drejtuesit e kësaj lige zbuluan kalendarin për sezonin 2015-2016, ku skuadra për t’u mundur padyshim është Golden State Warriors. Ajo që bie në sy është se sfidat e forta janë shfaqur që në ditën e parë të këtij kampionati, siç është ajo mes Chicago dhe Cleveland, dy skuadra pretendente për t’u shpallur kampione të Konferencës së Lindjes.
Ndërkaq, Golden State do të nisë mbrojtjen e titullit ndaj New Orleans Pelicans.
San Antonio, e cilësuar si mbretëresha e merkatos në NBA për këtë vit, do të nisë aventurën e saj më 28 tetor me Oklahoma City. Në të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe përballja mes Los Angeles Lakers dhe Minnesota Timberwolves.
Sfida spektakolare janë rezervuar edhe në Ditën e Krishtlindjeve, ku do të ketë një përsëritje të finales së sezonit të kaluar Golden State-Cleveland. Sfida të tjera që do të luhen më 25 dhjetor janë edhe Miami-New Orleans, Oklahoma-Chicago, derbi teksan mes Houston dhe San Antonio dhe ai kalifornian mes Los Angeles Lakers e Clippers.
NBA do të vazhdojë traditën për të luajtur ndeshje jashtë kontinentit amerikan edhe për këtë sezon. Më 3 dhjetor, në Meksikë do të luhet Sacramento-Boston, ndërsa më 14 janar 2016 në Londër do të jetë përballja mes Torontos dhe Orlandos.
Top Channel