Kosovë-Serbi, nis zbatimi i marrëveshjes së policave të sigurimit

12/08/2015 00:00

Duke nisur nga kjo e mërkurë, ka hyrë në fuqi marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo marrëveshje mundëson lirinë e lëvizjes së qytetarëve të të dyja vendeve me mjetet motorike të regjistruara në cilindo prej dy shteteve, Kosovë ose Serbi, e që zotërojnë një siguracion të vlefshëm për territorin e palës tjetër.

“Me njohjen e policave të sigurimeve të automjeteve, të lëshuara nga autoritetet respektive të Kosovës, mundësohet liria e lëvizjes me çmime shumë të lira”, thuhet në një komunikatë të ekzekutivit.

Kështu, sipas kësaj marrëveshjeje, automjetet e regjistruara në Kosovë do të mund të kalojnë në territorin e Serbisë me policat e sigurimit “MTPL”, me një pagese prej 40 eurosh, ndërsa për ato të Serbisë do të vlejë polica e sigurimit që vlen për Serbinë.

Deri më tani, qytetarët e Kosovës kanë paguar për të hyrë në Serbi për sigurimin e automjeteve rreth 100 euro për një muaj. Ndërsa serbët, që kanë hyrë në Kosovë me targa të Republikës së Serbisë, kanë paguar 40 euro për dy javë.

Kosova nuk është ende anëtare e Byrosë së kartonit të gjelbër, rrjedhimisht drejtuesit e mjeteve të Kosovës nuk kanë karton për automjetet që drejtojnë. Por, me gjithë zbatueshmërinë e kësaj marrëveshjeje, Serbia ende nuk i njeh targat e Republikës së Kosovës, çka do të thotë se qytetarët kosovarë do të vazhdojnë t’i ndërrojnë ato në dalje të Kosovës dhe do të vendosin targa me mbishkrimin “Proba”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta