Kosovë, opozita dorëzon në Kushtetuese “Gjykatën Speciale”

11/08/2015 00:00

Grupet parlamentare opozitare në Kosovë kanë dorëzuar këtë të martë në Gjykatën Kushtetuese lëndën që konteston vendimin e Kuvendit për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Tri deputete nga subjektet opozitare e kanë dorëzuar lëndën në ditën e fundit të afatit për kontestim, ndërsa shpresojnë që gjykata brenda afatit prej 60 ditësh do të marrë vendimin pro kërkesës së tyre.

“Ajo se çfarë kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese është që ky amendament të shfuqizohet, për shkak se përmbajtja e tij është në kundërshtim me Kushtetutën. Por kërkojmë që të shfuqizohet edhe për shkak të aspektit procedural, sepse nuk janë përfillur dispozitat kushtetuese. Kemi kërkuar po ashtu që i njëjti amendament të mos krijojë pasoja juridike”, deklaroi Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje.

“Edhe ne si grup parlamentar jemi të bashkuar në këtë kërkesë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse t’u them të drejtën, kjo gjykatë e ka humbur kredibilitetin për vet faktin se themelimi i Gjykatës Speciale në Kuvend tregon që edhe komuniteti ndërkombëtar nuk i beson më asaj. Por, megjithatë ne si deputete e kemi shfrytëzuar të drejtën tonë”, tha Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së.

“Atë ditë është shkelur vullneti i deputetëve dhe kjo na sjell sot këtu, pikërisht para Gjykatës Kushtetuese, që të kërkojmë nga kjo gjykatë që së paku ajo ta respektojë Kushtetutën dhe gjyqtarët që janë brenda saj të mos e shkelin betimin e tyre. Presim që gjykata të reflektojë dhe që konform ligjit të japë një përgjigje pozitive”, vijoi më tej Valdete Bajrami, deputete e Nismës për Kosovën.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë rast, partitë opozitare do të vazhdojnë kundërshtimet e tyre ndaj formimit të Gjykatës Speciale edhe në forma të tjera. Ajo i bëri thirrje presidentes Atifete Jahjaga që të mos dekretojë ligjin për Specialen pa marrë më parë vendimin Gjykata Kushtetuese.

Por, ligji për Gjykatën Speciale ende nuk ka mbërritur në Presidencë nga Kuvendi, ndërsa Jahjaga nga e mërkura ka afat tetë ditë që të vendosë për ta dekretuar ligjin, ta kthejë mbrapsht në Kuvend, ose të mos e dekretojë. Por në këtë rast ligji hynë në fuqi automatikisht. 

Top Channel