Nga Aleksandër Çipa – “Hajduti i këndshëm keqas më grabit/ i bëhem shok në vend që ta padis”. Ky është një distik i shumëpërmendur nga krijimtaria e Shekspirit. Por vlen për të karakterizuar raportet e bashkëjetesës në të njëjtën qeverisje të një LSI-sti të korruptuar dhe një socialisti të penguar për ta bërë këtë gjë. Në këtë qeverisje po spikat si në një marrëdhënie komike liria dhe privimi për të bërë korrupsion mes dy anëtarëve të së njëjtës qeverisje.
Ky standard i dyfishtë po e bren shumë më shpejt nga sa mendohej qeverisjen e të majtëve informalë Rama-Meta. Përcaktimi “informalë”, ka të bëjë jo me sjelljen dhe rrethanat e informalitetit si dukuri dhe fenomen social e juridik, por si përkatësi dhe formim individual ideologjik i të dy udhëheqësve. Sepse majtizmi i tyre i ka të plota shenjat dhe brendinë munguese, sikundër edhe papërkatësinë e ndërgjegjshme të tyre.
Mediat këtyre ditëve, po analizojnë e hamendësojnë intrigueshëm për një krizë të brendshme në raportet Rama-Meta. Këto hamendësime i përgënjeshtroi formalisht Petrit Vasili i LSI-së, por Ilir Meta është politikani që e mbron bashkëjetesën në Tiranë dhe e bën me dije tradhtinë apo braktisjen e saj, përmes Gjirit të Lalëzit apo ndonjë mjedisi tjetër rezidencial. Në të vërtetë, në asnjë rast ai nuk e pranon dhe nuk e merr përsipër autorësinë apo aq më tepër protagonizmin e ndarjes politike. I përmbahet suksesshëm skenarit të delegimit të përgjegjësisë dhe fajit për ndarjet, ortakut apo bashkëqeverisësit të përkohshëm të tij. Përpiqet që me çdo kusht në publik të mos rezultojë kurrë protagonizmi i tij si arsye për ndarje apo mbyllje partneriteti dhe po aq makiavelisht punon për të rindërtuar skenarin e një partneriteti tjetër perspektiv për të qenë rishtazi në qeverisje. Gjatë kohës që bëhet pjesë e një partneriteti të ri, nuk humbet asnjë çast të shtojë trafikun e influencës, si dhe të shumështojë numerikisht anëtarësinë e partisë së vet dhe të përfshijë në administratë individë që e dinë fort mirë se si fitohet apo se si rekrutohet partiakisht dhe politikisht duke qenë në administratë.
Momentalisht nuk ka tingëlluar çasti as i mbramë e as i mbrapshtë për çarje në qeverisjen dykrerëshe të së majtës së vendit. Por edhe pse rezultati i zgjedhjeve vendore të 21 qershorit është historik dhe me ngritje të frikshme të LSI-së, sërish brenda së majtës dhe mes udhëheqësisë dykrerëshe të saj nuk ka as optimizëm dhe as harmoni të shpallur fituesish. Heshtja ka nisur më së shumti kur në tri prej bashkive të pretenduara për fitore të së majtës (përkatësisht në Vorë, Lezhë,Pogradec), por prej kandidatëve LSI-stë u ngulën diplomatë të huaj dhe vëzhgues të shumtë dhe sidomos më të rëndësishmit (të SHBA, BE, OSBE etj), dhe rezultati ishte humbës.
Te kjo e majtë në qeverisje, po mungon fryma e optimizmit dhe energjia për suksese dhe ndryshime cilësore. Te kjo e majtë ekziston droja dhe shmangia për ndryshime të duhura në qeverisje. Arsyet pse mund t’i ndryshojnë ministrat e kabinetit “Rama” mes PS-së dhe LSI-së janë kryekëput të ndryshme, por ende të pakonfirmuara. Ato janë arsye që ndoshta më shumë i ndajnë sesa i mbajnë në hullinë e të qenët ende për kohë të gjatë në qeverisje harmonike. Rezultatet e qeverisjes dhe vlerësimet për të, nuk kanë avokatinë e brendshme të së majtës. Në foltoret e PS-së dhe të LSI-së mungojnë së dali zëdhënës apo edhe përfaqësues të lartë partiakë për të bërë me dije realizime dhe sfida të tejkaluara. Ashtu sikundër diplomacia e së majtës është me diferenca të pashpallura dhe aleatë të ndryshëm në raportet me amerikanët sikundër edhe me atë të BE-së mes dy krerëve të kësaj shumice qeverisëse. Parlamenti është vetëm një skenë ku koha e pakursyer e të folurit dhe të dalit të ish-kryeministrit Sali Berisha e bën edhe më të rëndë perceptimin për një statusquo alla tranzicion të vendit. Në këtë model të ndenjur parlamentar, po mbytet nevoja dhe pafuqia për lëvizje dhe ndryshim apo për reforma të cilat do t’i nevojiteshin sa më parë, jo vetëm Shqipërisë së sotme, por çdo vendi tjetër që nuk mund të krahasohet me këtë vend.
Natyrisht, skenari për Parlamentin me solist të vetëm zotin Berisha, mund të ketë interes dhe leverdi për Edi Ramën apo Ilir Metën, por është një torturë psikologjike për krejt shoqërinë shqiptare. Në këtë skenar po triumfon ideja se kapaciteti i vetëm për opozitarizëm ka lidhje dhe po rezulton të jetë ish-qeverisësi në shumicën e kohës së tranzicionit, demiurgu i tij, zoti Berisha. Nga ky absurd, sipas të gjitha shenjave dhe gjasave, kasta jonë politike nuk ka ndërmend të ikë. I nevojitet, prandaj nuk po e refuzon dhe tejkalon atë. Por përmes këtij absurdi, po lihet në fuqi edhe evitimi dhe pengmbajtja e nevojës tjetër për reformë politike në vend, pra reformimi i opozitës që informalisht quhet e djathtë. Po keqtrajtohet kjo reformë si proces që ka lidhje me rivendosjen në poste partiake të kandidatëve humbës të PD-së për kryebashkiakë të vendit. Po krijohet paralelisht një strukturë dhe infrastrukturë diabolike opozitarizmi që përfshin që nga disa dhjetëra web-e opozitare që lidhen me kryeopozitarin e plakur dhe me aktin promovues të një rrjeti organizatash të së ashtuquajturës shoqëri civile, por që në fakt, mund të jenë thjesht një grusht njerëzish të rishpërndarë për qëllime dhe interesa parapolitike. Të gjitha këto, janë elemente që po ristrukturojnë sipas arkitekturës së vjetër të përdorimit partiak dhe prej udhëheqësisë së vjetër politike instrumente dhe aktorë të zellshëm për përdorim të shoqërisë. Në këtë tentativë dhe qëllim, po fshihet thelbi tjetër ndjellakeq dhe gjëmëbërës i kësaj shoqërie dhe këtij vendi, prej udhëheqësisë që nuk heq dorë nga monopoli i rotacionit dhe qeverisjes.
Por si do të vejë fati i kësaj së shumice heterogjene majtiste? A është problem i rianalizimit të brendisë së qeverisjes, analiza për qeverisjen e deritanishme dhe raportet e përfaqësimit PS-LSI në administratë dhe qeveri? Do mbeten shokë në “vend që të padisin”?! Kjo dilemë do të jetë subjekti kompleks i zhvillimeve dhe raporteve konkrete mes Ilir Metës dhe Edi Ramës në vitin e tretë të qeverisjes së tyre. Ajo që po thuhet e hamendësohet këto ditë, është një parathënie dhe kapitull i ri në bashkëqeverisjen e tyre. Nuk është një çështje numrash dhe as trafikimesh në sezonin e ri parlamentar, por një kohë e re për rishqyrtim të skenarit dhe pashmangshmërisht mbërritje në gjendjen e ngërçit ku një qeveri përballet me tërmetin e përplasjes së dy ndërgjegjeve politike dhe shtetbërëse. Cila do t’ia dalë? Këtë nuk e zgjidh kurrsesi revolucioni demokratik” i at-gjyshit politik të tranzicionit, por lindja e një projekti të ri dhe mbërritja e një fryme të re që na mungon .
Top Channel