Tesla, kompania amerikane e prodhimit të makinave elektrike njoftoi hedhjen në treg në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit të produktit të saj më të fundit, një model më i fuqishëm dhe më sportiv.

Bëhet fjalë për Modelin X, i prezantuar fillimisht që në vitin 2012, me objektiv hedhjen në treg një vit më vonë. Por kompania shtyu në kohë këtë duke mos dhënë asnjë arsye, megjithëse lista e porositësve të saj ishte e gjatë.

Njohësit e tregut e komentojnë këtë më rritjen e kërkesës për Modelin S, një automjet më pak i fuqishëm që u përqafua nga blerësit përtej parashikimeve të kompanisë së Elon Musk.

Musk thotë se ndërtimi i Modelit X ishte një sfidë më vete.

“Ndoshta është makina më e vështirë për t’u ndërtuar në mbarë botën. Por është një makinë e jashtëzakonshme, me ulëse të jashtëzakonshme, një vepër arti që do të çmendë njerëzit”, thotë Musk.

Miliarderi amerikan, themeluesi i shërbimit të pagesave online PayPal, thotë se brenda pak vitesh makinat elektrike do të transformojnë të ardhmen e këtij sektori. Modeli S është makina elektrike më e shitur në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, kjo falë edhe politikave të qeverive respektive që rimbursojnë një pjesë të vlerës së tyre për të stimuluar përdorimin e këtyre mjeteve me kosto thuajse zero për mjedisin.

FOTO GALERI
1/3
Modeli X i Teslas

Top Channel