Dikur Oscar Wilde thoshte “Rinia tretet në rini”. Kjo shprehje në fakt nuk përshtatet me rastin e këtyre sipërmarrësve, të cilët kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm brenda pak vitesh.

Duke formuar një të ashtuquajtur “klub elite”, janë plot 28 miliarderë në botë, që i kanë siguruar vetë këto të ardhura e jo të trashëguara, të cilët janë ende mes të 20-ave dhe të 30-ave. Shumica e tyre, konkretisht 21, i kanë siguruar të ardhurat prej teknologjisë, ndërsa 15 prej tyre sapo janë futur edhe në listen e 100 më të pasurve të teknologjisë.

Më i riu mes të këtyre të 100-tëve, e njëkohësisht edhe miliarderi më i ri në botë, është 25-vjeçari bashkëthemelues i Snapchat, Evan Spiegel, i cili krijoi aplikacionin me foto që zhduken kur ishte ende student në Stanford. E sigurisht, të qenit kaq shumë i pasur dhe me famë, e ka ndihmuar atë të ketë një lidhje me modelen dhe aktoren Miranda Kerr.

E ndërsa ai rezulton si më i riu i të rinjve, bashkëthemeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, mban mbi shpinë “titullin” e më të pasurit mes të rinjve. 31-vjeçari, i cili sapo ka njoftuar se do të bëhet edhe baba, ka një pasuri prej 41 miliardë dollarësh, ndërkohë që 14 teknologët e tjerë nën të 40-ave kanë së bashku një pasuri prej 59 miliardë dollarësh. Pasuria aktuale e bën atë të jetë i katërti mes titanëve të teknologjisë, por gjithashtu edhe i teti më i pasur i planetit. Vetëm së fundi, Zuckerberg është renditur mes 10 më të pasurve në botë, për herë të parë.

Zuckerberg ishte vetëm 2 vite më i ri sesa Spiegel aktualisht, kur arriti shifrën e 1 miliardëshit në moshën 23-vjeçare. Ai gjithashtu të kujton fillimet e numrit 1 të teknologjisë në botë, Bill Gates, pasi ashtu si themeluesi i Microsoftit, edhe Zuckerberg është larguar nga Harvardi për të hedhur hapat e parë të zhvillimeve teknologjike dhe historisë që e ndoqi më pas.

Por, cila është lista e plotë me 15 “titanët” e teknologjisë me moshë nën 40 vjeç?

1. Mark Zuckerberg, 41.2 miliardë dollarë, mosha 31 vjeç
2. Dustin Moskovitz, 9.6 miliardë, mosha 31 vjeç
3. Jan Koum, 7.9 miliardë, mosha 39 vjeç
4. Travis Kalanick, 6 miliardë, mosha 38 vjeç
5. Garrett Camp, 6 miliardë, mosha 36 vjeç
6.Eduardo Saverin, 5.7, mosha 33 vjeç
7. Frank Wang, 3.6, mosha 34 vjeç
8. Brian Chesky, 3.3 miliardë, mosha 33 vjeç
9. Joe Gebbia, 3.3 miliardë, mosha 33 vjeç
10. Nathan Blecharczyk, 3.3 miliardë, mosha 32 vjeç
11. Sean Parker, 3 miliardë, mosha 35 vjeç
12. Zhou Yahui dhe familja, 2.6 miliardë, mosha 38 vjeç
13. Jack Dorsey, 2.3 miliardë, mosha 38 vjeç
14. Evan Spiegel, 2.1 miliardë, mosha 25 vjeç
15. Robert Pera, 2 miliardë, mosha 37 vjeç

Top Channel