De Biasi: Shqipëria me peshë në Europë. Skënderbeu? Pse jo në Champions

06/08/2015 00:00

Renditja e Shqipërisë në vendin e 22-të në futbollin botëror ka bërë krenar çdo shqiptar, edhe trajnerin Gianni De Biasi, i cili nuk e fsheh kënaqësinë për këtë arritje të madhe të kuqezinjve. 59-vjecari në një intervistë për Sport News, theksoi se ky rekord historik e bën Shqipërinë një faktor më të rëndësishëm në futbollin europian.

“Besoj se është një krenari e madhe për të gjithë futbollin shqiptar, për Federatën, për djemtë që bëjnë pjesë në këtë skuadër, që kanë kontribuar me rezultatet, që Shqipëria të merret më shumë në konsideratë në nivel botëror”, thotë trajneri kuqezi.

Asgjë nuk është rastësi dhe këtë askush nuk e di më mirë se De Biasi, cili gjen rastin për të falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij për këtë katapultim të Shqipërisë së futbollit.

“Këtë sukses ia dedikoj në radhë të parë presidentit Duka, që e meriton, sepse ka investuar shumë për ta rritur Federatën dhe Kombëtaren. Gjithashtu ua dedikoj të gjithë bëshkëpunëtorëve që më kanë ndihmuar shumë për të arritur këtë objektiv. Pa dyshim merita kryesore shkon për djemtë e Kombëtares, ata kanë bërë gjithcka për këtë sukses. Gjëja që më pëlqen më shumë është fakti që ata ndihen krenar që veshin fanellën e Kombëtares”, deklaron De Biasi.

Shqipëria ka lënë pas në renditje emra të mëdhenj të futbollit europian dhe përtej euforisë, sipas De Biasit, ky është një disavantazh në prag të dy ndeshjeve eliminatore të shtatorit.

“Është një disavantazh i madh, e para sepse Danimarka është pas nesh dhe është shumë e motivuar për të na parakaluar. Por ne duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse ky pozicionim në renditjen e FIFA-s nuk do të thotë asgjë. Me një rezultat negativ mund të rreshkasim të 40-ët ose të 50-tët. Ne duhet të përpiqemi që të përgatitemi sa më mirë gjatë këtij muaji, që të mund të marrim një rezultat pozitiv në Kopenhagen”, shprehet ai.

Merkatoja e verës ka ofruar disa lëvizje surprizë të kuqezinjve, por për trajnerin e Shqipërisë është shqetësues fakti se disa elementë kanë mbetur pa skuadër.

“Janë tre elementë të Kombëtares pa skuadër dhe që më shqetësojnë më shumë. Lila, që ka luajtur një fazë të mirë në Serinë A, Basha që mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, por që duhet ta gjejë sa më shpejt një skuadër, si dhe Ajeti që la përshtypje shumë të mira në miqësoren me Francën. Këta lojtarë nuk nuk gjejnë sa më shpejt një ekip të ri, duhet t’i bashkojmë me ndonjë skuadër për të mbajtur formën fizike”, thotë De Biasi.

Shqipëria praktikisht e ka siguruar pjesëmarrjen Play-Off, por ambiciet e kuqezinjve janë për kualifikim direkt në Euro 2016. Një pikë në transfertë me Danimarkën do ta kënaqte De Biasin, por nuk është e mjaftueshme për objektivin final.

“Në dy ndeshjet e ardhshme nuk na mjafton një pikë. Nëse arrijmë ta marrim një pikë në Danimarkë, do të jem i kënaqur. Më pas ndaj Portugalisë do të futemi në fushë për fitore, sukurse kemi bërë gjithmonë”, deklaron tekniku i kombëtares tonë.

Për dy ndeshjet e radhës, De Biasi kujton se nuk do të ketë risi në listën e të grumbulluarve, me tëj ai dha edhe një opinioin për shpërthimin e disa talenteve të reja se Manaj dhe Kamberi.

“Ndaj Danimarkës dhe Portugalisë do të grumbulloj pothuajse të njëjtët lojtarët përfshiva në listë me Armeninë dhe Francën. Nuk janë vetëm Manaj apo Kamberi që duhet t’i kemi në vemendje. Edhe Tarashaj që luan me Zyrihun është një element i rëndësishëm. Zgjedhjes që bën duhet t’i japësh edhe një shpjegim logjik. Djemve u duhet dhënë koha e mjaftueshme që të fitojnë përvojë dhe kur të kenë bërë eksperiencë me ekipet e para, atëherë do të merren në konsideratë edhe në Kombëtare. Është e parakohshme që të flitet për grumbullimin e tyre, por sigurusht ata janë e ardhmja e Shqipërisë”, shprehet ai.

Nga arritjet e Kombëtares, te sukseset e Skënderbeut. Për Gianni De Biasi pjesëmarrja e kampionëve të Shqipërisë në fazën e grupeve të Europa League ndihmon të gjithë futbollin shqiptar.

“Pse të mos marrë pjesë në grupet e Championsit Skënderbeu? Në katër ndeshjet që ka zhvilluar deri tani, sipas mendimit tim, Skënderbeu ka luajtur një futboll të bukur. Do të doja të veçoja ndeshjet e parë me Milsamin në transfertë. Fitoi me shumë lehtësi duke luajtur me shumë zgjuarsi. Ndoshta në takimin e Elbasan Arenës u favorizua nga kartoni i shpejtë i kuq që mori kundërshtari, megjithatë superioriteti teknik dhe taktik ishte i dukshëm. Kjo arritje e Skënderbeut ndihmon të gjithë futbollin shqiptar”, mbyll intervistën e tij trajneri kuqezi.

Top Channel