Skënderbeu, shumë pranë historisë; Josa: Të jemi të kujdesshëm, futbolli s’ka garanci

04/08/2015 00:00

Edhe pse e fitoi 2-0 ndeshjen e parë në transfertë ndaj Milsamit dhe është shumë pranë kualifikimit në fazën “play off” të Champions League, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa vazhdon t’i mbajë lojtarët dhe tifozerinë larg euforisë, pasi nuk do që të përjetojë sërish ankthin e para 10 viteve, kur Tirana që drejtonte ai në atë kohë ishte shumë pranë, por u eleminua nga ky kompeticion.

“Kemi bërë deri më tani vetëm 50% të punës, Milsam është një skuadër që kërkon të luajë futboll dhe nuk do të vijë e dorëzuar këtu. Ne duhet të luftojmë që t’ia bëjmë punën vetës tonë sa më të lehtë sepse në futboll asgjë nuk është e sigurt”, u shpreh trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa.

Nga ana tjetër, trajneri i skuadrës moldave ka theksuar se, pavarësisht vështirësive, ata kanë ardhur në Elbasan për të bërë të njëjtën gjë, që bëri Skënderbeu në fushën e tyre.

“Skënderbeu tregoi edhe në fushën tonë, që është një skuadër e konsoliduar. E dimë që është e vështirë, por ne do të përpiqemi të përmbysim rezultatin e ndeshjes së parë. Kemi parë edhe më përpara, që në ndeshjet e kthimit janë përmbysur rezultatet”, tha Iurie Osipenco, trajneri i Milsamit.

Pesë herë kampionët e Shqipërisë janë shumë pranë historisë. Faza “play off” në Champions është një hap larg për skuadrën korçare, ndërkohë që pas kalimit të këtij kundërshtari, pjesëmarrja në grupet e Europa League është e garantuar, një gjë që nuk është arritur kurrë më parë nga asnjë skuadër shqiptare.

Sfida e kthimit mes Skënderbeut dhe moldavëve të Milsamit, e cila do të luhet të mërkurën në orën 20:45, në “Elbasan Arena”, do të transmetohet drejtpërdrejt në paketën “Supersport” të platformës “Digitalb”.

FOTO GALERI
2/6
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA