Veliaj: Tirana do të jetë qyteti më i pastër i Ballkanit

03/08/2015 00:00

“Tiranën do ta shndërroj në qytetin më të pastër jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan”. Këtë ambicie kryebashkiaku Erion Veliaj e ka shprehur para punëtorëve të pastrimit, me të cilët është takuar herët në mëngjesin e së hënës.

“Nga dita e sotme do të shpallim një luftë ndaj plehrave dhe zhulit në Tiranë. Ndoshta, papastërtia është problemi më i madh për të gjithë qytetarët. Duke qenë se jemi të “pushtuar” nga plehrat, lufta moderne që duhet të bëjmë sot, nuk është me armë, por me pastrim. Unë dua ta fitoj këtë betejë dhe për këtë më duhet ndihma e secilit prej jush. Për këtë arsye ju kam thirrur, ashtu siç thirren ushtarët në luftë”, tha Veliaj.

Pasi ka zhvilluar një takim me drejtuesit e kompanive të pastrimit ku i ka sqaruar se për kontratat do të vendosin qytetarët, të njëjtën gjë u ka thënë dhe punëtorëve, duke u kujtuar se nëse ka pakënaqësi nga qytetarët, atëherë ata humbin vendin e punës.

“Nga tani e tutje nuk vendos më kryetari i bashkisë për kontratat, por qytetarët. Në çdo lagje do të bëjmë anketa për qytetarët. Nëse qytetarët ju japin një notë të mirë, do të vazhdojmë bashkëpunimin; nëse jo, kontrata jonë nuk do të vazhdojë. Secili prej jush e ka në dorë vetë. Vendin e punës e keni në dorë vetë”, sqaroi Veliaj.

Duke e konsideruar një betejë të tijën pastrimin e qytetit ,Veliaj deklaroi se do të kthejë aksionet vullnetare në Tiranë: “Pasi të kthehen nga pushimet, dua të ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të bëjmë një aksion në fillim të shtatorit për pastrimin e Tiranës në një ditë. Por, nuk mund t’i ftojmë dot qytetarët të bëjnë punë vullnetare, nëse ne që paguhemi për këtë punë nuk bëjmë maksimumin tonë”.

Veliaj u shpreh para punëtorëve të pastrimit se do të kenë në dispozicion Policinë Bashkiake dhe INUV-in për t’i krijuar lehtësirat e nevojshme në mënyrë që ata ta kryejnë si duhet punën e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA