ISIS, “Die Welt”: Gashi u ekzekutua nga vetë ISIS. Donte të shpëtonte pengjet

03/08/2015 00:00

Ish-kampioni kosovar i botës në sportin “Muay Thai kickboxing”, Valdet Gashi, është ekzekutuar nga vetë xhihadistët e Shtetit Islamik.

Kjo bëhet e ditur nga e përditshmja gjermane “Die Welt”, e cila hedh dritë mbi rrethanat deri më tani të paqarta mbi vdekjen e shtetasit shqiptar të Kosovës që kishte shkuar për të luftuar në Siri në krah të ISIS.

Mësohet se Valdet Gashi kishte nisur të dyshonte mbi “politikën” e Shtetit Islamik dhe kursin e vijës së ashpër që po mbante në zonat e kontrolluara në Siri dhe Irak, e për këto dyshime madje kishte biseduar edhe me një politikan gjerman të FDP-së, Tobias Huch, nga landi i Rheinlan-Pfalz, nëpërmjet rrjetit social Facebook.

Gashi dyshohet se kishte planifikuar të “blinte” lirinë e skllevërve të ISIS-it, duke i kërkuar parà politikanit gjerman, mbështetja e të cilit ishte bërë e qartë sipas korrespondencës së tij me sportistin në rrjetin social.

Por, këto plane mësohet t’u kenë rënë në vesh militantëve xhihadistë dhe, vetëm dy ditë pas bisedës së Gashit me politikanin Huch, ai është raportuar i vrarë. Edhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë mbikëqyrëse e ecurisë së luftës civile në Siri, por me seli në Londër, bën të ditur se Gashi është ekzekutuar nga vetë ISIS.

Bëhet e ditur gjithashtu se udhëheqësit e ISIS përgjojnë të gjitha komunikimet e xhihadistëve të ardhur nga jashtë, shpesh të konsideruar edhe si mercenarë, ndaj të cilëve shpesh dyshojnë nëse janë vërtet në krahun e xhihadistëve apo janë futur në grup për të nxjerrë informacione.

FOTO GALERI
1/1
Biseda në chat mes Gashit dhe politikanit gjerman

Top Channel