“Mister 100-milionëshi” Bale pritet të ndryshojë epitet. United gati për “çmendurinë”

02/08/2015 00:00

Nëse thashethemet do të rezultonin të vërteta, atëherë uellsianit Gareth Bale do të duhej t’i hiqnim “pseudonimin” mister 100-milionëshi. Kjo, sepse Manchester United, për ta bindur të rikthehet në Premier League, është gati të shpenzojë rreth 122 milionë euro.

Pikërisht 22 milionë më shumë sesa shifra, që Reali i Madridit i pagoi Tottenhamit dy sezone më parë, për të siguruar shërbimet e anësorit uellsian.

“Bomba”, edhe këtë herë ka ardhur nga vendi ishullor, ku “Sunday Express” ka nisur të flasë mbi një interesim në zhvillim e sipër të Van Gaal, trajnerit holandez të “djajve të kuq”, për të afruar në ekip anësorin sulmues të madrilenëve.

Zërat e medias britanike në falë kanë pasur bërë jehonë edhe në Spanjë, ku edhe e përditshmja sportive “Marca” ka trumbetuar me të madhe ofertën e mundshme që pritet të vijë nga Manchester United për Bale.

Kjo lëvizje në merkato nuk pritet ta rëndojë shumë buxhetin e britanikëve të United, pasi sapo është siguruar kalimi i Angel Di Marias për te Paris SG për rreth 85 milionë euro, por mbetet të shihet nëse është i gatshëm Reali të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të mirë të tij apo jo.

Top Channel