Miqësorja e luksit, Reali mposht Milanin me penallti 10-9

30/07/2015 00:00

Milani humbet në miqësoren ndaj Realit të Madridit, por vetëm në penalltinë e 11, duke u kthyer kështu në Itali me ndërgjegjen e plotë se ka ndjekur rrugën e duhur.

Sinisa Mihajloviç mund të jetë tepër i kënaqur, për shkak se skuadra e tij luajti thuajse e barabartë me Realin e Madridit, duke krijuar më shumë raste të rrezikshme për gol, e duke mos vuajtur kompleksin e inferioritetit përballë emrave të mëdhenj të kundërshtarit. Madje, Milani u shfaq si një skuadër që ka asimiluar më së miri konceptet bazë të futbollit të injektuara nga trajneri i ri.

Përpara 40 mijë spektatorëve në “Shanghai Stadium”, Milani u përpoq thuajse gjatë gjithë lojës të surprizonte Realin, por edhe të ruante prapavijën për shkak të rreziqeve që mund të shkaktonin emra si Cristiano Ronaldo, Bale apo Benzema. E megjithatë, 90-minutëshi i rregullt përfundoi me rrjeta të paprekura dhe u deshën gjuajtjet nga pika e bardhë e 11-metërshit për të përcaktuar fituesin.

Të gjithë ishin të saktë, me përjashtim të Baccas dhe Kroosit, ndërsa u detyruan të gjuanin nga një 11-metërsh edhe portierët Casilla, që nuk gaboi, dhe Donnarumma, që nuk shënoi.

Top Channel