
Të shtunën pasdite, Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Gianni de Biasi do të mësojë kundërshtarët e radhës në kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”.
Falë rezultateve të mira gjatë këtij sezoni, kuqezinjtë tanë do të jenë në vazon e tretë të shortit dhe do të kenë në grup 3 skuadra më pak pretendente, të paktën në letër.
Bashkë me Shqipërinë, në vazon e tretë do të jenë edhe Polonia, Ukraina, Hungaria, Skocia, Suedia, Serbia, Greqia dhe Irlanda e Veriut, gjë që do të thotë se në kualifikueset e Botërorit nuk do të kemi në grup asnjë nga këto skuadra.
Për shkak të marrëveshjeve televizive, UEFA ka kërkuar që grupet ku do të jenë Gjermania, Anglia, Franca, Italia, Spanja dhe Holanda të kenë nga 6 skuadra pjesëmarrëse.
Nga shorti i së shtunës, i cili do të hidhet në Shën Pjetërburg të Rusisë, do të dalin 9 grupe; 7 prej të cilëve me nga 6 skuadra dhe dy grupe me nga 5 skuadra.
Fituesit e grupeve shkojnë drejtpërdrejt në Botëror, ndërkohë që 8 ekipet e dyta më të mira do të luajnë “play-off” për të përcaktuar edhe 4 kombëtaret e fundit europiane, që do të jenë në Botërorin “Rusi 2018”.
Top Channel