Nga Arben Manaj – Ndërhyrja e ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, në debatin mbi atë se cili do të jetë ose do duhet të jetë udhëheqësi i ri i Partisë Laburiste britanike në opozitë, është një preferencë e qartë e tij, më shumë për socialdemokracinë radikale sesa për leftizmin radikal.
Qartazi, Bleri është për ato vlera që në mënyrë efektive i shërbejnë jo botës së djeshme sesa janë për të sotmen dhe të ardhmen.
Pas humbjes surprizë dhe katastrofike në fakt të Laburistëve në zgjedhjet e këtij viti, në garë janë disa kandidatë për të marrë postin e drejtuesit të ri të opozitës, që për mua kushdo që do të fitojë nuk janë sfidantë dinjitozë për kalibrin e Kamerunit, i cili duhet thënë se është me fat, për shkak të mungesës së një rivali kredibël.
Sondazhet e opinionit publik duket se favorizojnë Xheremi Korbin (Jeremy Corbyn) një kandidat që asociohet më shumë me platformën tradicionale të së majtës, krahasuar me Endi Bërnhëm, (Andy Burnham) më afër qendrës së majtë dhe më i ri në moshë se favoriti.
Argumentimi i ish-kryeministrit më të suksesshëm të Laburistëve dhe të Britanisë është se nëse Korbin fiton, ai ka pak gjasa të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.
Toni Bler përpara 21 vjetësh e një dite saktësisht, arriti të sillte në pushtet laburistët britanikë, duke shënuar fitore të vazhdueshme e të njëpasnjëshme për tre mandate, ndërkohë si në zgjedhjet e fundit partia e tij, po shënon humbje të vazhdueshme e po shkon nga njëra humbje në tjetrën.
Sipas tij, zgjedhjet e këtij maji, ishin shëmbëlltyrë e atyre në vitet ’80 të shekullit të kaluar kur laburistët shiheshin si parti e dhembshurisë e konservatorët e djathtë si parti e kompetencës ekonomike.
Padyshim zgjedhja potenciale e Xherëmi Korbin në krye të laburistëve, siç sugjerojnë sondazhet, do të ishte preferenca e konservatorëve të Kryeministrit Kemërën, pasi Korbin jo vetëm nga politikat që promovon reminishente të disa dekadave më parë dhe larg qendrës së majtë, por edhe karizma i mungon përballë edhe moshës së Kryeministrit aktual.
Bleri i përmbahet pikëpamjes se Laburistët e kohës së tij fituan në atë mot, jo se laburistët bënë atë që menduan se ishte gabim si çështje parimore, por se bën mirë atë që ishte e drejtë si çështje politike.
Ne fituam zgjedhjet kur kishim një axhendë e cila ishte e motivuar nga vlerat, tha Bleri në fjalimin e mbajtur të mërkurën në Londër.
Frika e ish-kryeministrit është nëse fiton radikali i majtë Korbin, laburistët mund të kalojnë edhe 20 vjet të tjera në opozitë. Dhe ka të drejtë.
Britania nuk është Greqia as në formimin kulturor e politik e as në zhvillimin ekonomik, e Partia Laburiste nuk është Syriza e nuk ka nevojë për një Cipras britanik si opozitar.
Një ndër arsyet se përse laburistët nuk fituan në zgjedhjet e fundit ishte edhe karizma e munguar e udhëheqësit të tyre, i cili nuk arriti të bindte shumicën e britanikëve se ishte i aftë të drejtonte anijen e ekonomisë britanike nëpër tallazet e stuhisë në Eurozonë.
Fakti që Miliband mbështetej nga sindikatat e fuqishme britanike, ishte një arsye më tepër që anglezët i kthyen gishtin e madh përmbys projektit të tij politik.
Politika e sotme është edhe PR, është edhe karizëm sa ç’është edhe substancë.
Politika që përtej të majtës e të djathtës, arrijnë të thithin vota në qendër të politikës, dhe fitojnë simpatinë e pjesëve të ndryshme të publikut e që mbështesin si bizneset, ashtu edhe sindikatat, janë recetat pushtetmarrëse të Blerit. Kjo ishte ajo që Toni Bler diti ta bëjë shumë mirë.
Mesazhi i tij është se nuk fitohen zgjedhjet në Britani me platforma majtiste tradicionale.
2015 nuk është as 2007 e as 1997 e Toni Blerit.
Laburistët ndodhen në një udhëkryq të madh dhe ai që do të fitojë garën për kreun e Laburistëve, do të ketë një rrugë të gjatë dhe të vështirë drejt pushtetit në vendin, ku ka lindur kapitalizmi e ku ekonomia është ndër më të fortat në kohën e krizës në Eurozonë.
Ish-kryeministri i tha partisë së tij ta harrojë pushtetin nëse kthehet radikalisht majtas, çka ai e cilësoi si reaksionare.
Për Toni Blerin, i vetmi politikan laburist që ka fituar zgjedhje të përgjithshme që nga 1974, ata që do duan të votojnë për Xherëmi Korbin, nëse do votonin me zemër dhe jo me kokë, do duhet të bënin transplantim.
Top Channel