Kukësi zhgënjen në “Qemal Stafa”. Mundet 0-1 nga Mladost Podgorica, rrezikon kualifikimin

16/07/2015 00:00

Kukësi zhgënjeu në ndeshjen e parë të turit të dytë duke u mundur 0-1 në “Qemal Stafa” nga malazezët e Mladost Podgorica, një rezultat ky që ia vështirëson ecurinë skuadrës kuksiane në Ligen e Europës.

Nënkampionët e Shqipërisë të cilët e nisën ndeshjen me vetëm 4 lojtarë shqiptarë, mesa duket e nënvlerësuan kundërshtarin i cili ishte i vendosur mjaft mirë në mbrojtje duke mos lënë asnjë hapësirë për lojtarët e Kukësit.

“Ne kemi edhe një mundësi në ndeshjen në Podgoricë dhe unë besoj në fitore”, është shprehur Pero Pejiç, futbollist i Kukësit.

Skuadra verilindore dominoi pjesën e parë në mbajtjen e topit, por asnjë nga mesfushorët nuk dha pasimin e duhur për Pero Pejic, i cili mbeti i vetëm dhe i pafuqishëm mes mbrojtësve malazez.

Fillimi i pjesës së dytë ishte shokues për kuksianët. Ndërkohë, që të gjithë prisnin golin e tyre, në goditjen e parë dhe të fundit nga këndi të malazezëve, Lakiç kaloi në avantazh Mladost Podgoricën.

Goli i pësuar i vuri në lëvizje kuksianët të cilët tentuan të barazonin, por pa rezultat. Edhe ndërrimet e bëra nga trajneri Troisi nuk ndryshuan asgjë duke bërë që gjithçka të vendoset në ndeshjen e kthimit pas një javë në Podgoricë.

Një mision i vështirë, por jo i pamundur ky për skuadrën kuksiane, e cila me atë që tregoi në “Qemal Stafa” ishte në një nivel me lartë se kundërshtarët malazezë.

Top Channel