Ç’do të thotë “ta tundësh nga themelet sistemin e drejtësisë”?

16/07/2015 00:00

Nga Mustafa Nano – Duket se jemi të gjithë dakord ose pothuaj të gjithë, se sistemi i drejtësisë është një problem i madh i këtyre kohëve në Shqipëri. Ka ca javë që janë dëgjuar ca si shpesh edhe zëra të huaj, që i mëshojnë së njëjtës ide, madje me tone më dramatike.

Ambasadori amerikan, Donald Lu, bën ç’bën dhe e lëshon çdo ditë ndonjë filipike, e të bëhet se para se të ketë ardhur në Shqipëri (ka pasur kohë sa të duash në këtë funksion, pasi dekretimi prej Senatit iu shty pa fund), është instruktuar me kujdes për të ngritur një fushatë sensibilizimi të opinionit publik shqiptar kundër sistemit të korruptuar të drejtësisë e kundër dekriminalizimit të politikës e të institucioneve; po kështu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, tonet e së cilës kanë ardhur crescendo, aq sa janë bërë të stilit paternalist, gjë që edhe krijon bezdi tek-tuk mes dashnorëve të sovranitetit këtyre anëve. Por kjo bezdi asnjanësohet prej betejës që ata po bëjnë, e cila është e domosdoshme, sidomos në rrethanat kur lojtarët lokalë, klasa politike, shoqëria civile dhe institucionet publike e shtetërore, edhe janë përgjegjëse që punët kanë shkuar deri në këtë pikë, edhe nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë ndryshimin. E prandaj, zëri i ambasadorëve është konsideruar, në përgjithësi, i mirëseardhur nga opinioni publik. Po kështu, madje ca më shumë, edhe zëri i atyre që vijnë nga Brukseli apo nga kryeqytete të tjera të Europës apo SHBA-së, mes të cilëve kohët e fundit kanë rënë në sy Angela Merkel, Martin Schulz, Victoria Nuland etj. Dhe që të tre, a thua se ishin zyrtarë të së njëjtës kancelari, përcollën si mesazh nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë.

Nëse kësaj “loje” i shkohet ashtu si duhet deri në fund, çdo gjë është ok. Por rreziku është që këtij aksioni të mos i shkohet deri në fund. Gjëja që të bën ta mendosh këtë gjë lidhet me faktin që opinioni ynë publik nuk e ka bërë ende të vetin këtë shqetësim. Sigurisht, ekziston vetëdija se gjendja në sistemin e drejtësisë është ku thërret kiameti, por kjo vetëdije ka bërë që opinioni publik të dorëzohet, e jo të ngrejë zërin. Ja shihni, edhe tani që borive të alarmit po u fryhet nga shumë anë, shtypi e mass-media në përgjithësi janë, me pak përjashtime, si të përgjumura.

Përveç kësaj, vetë sistemi i drejtësisë do të hedhë shkelma e vickla, do të reagojë në mënyrat e veta, do të bëjë rezistencë, do të mobilizohet e do të mobilizojë të tjerët që t’i dalin në mbrojtje. Është interesante që në gjithë këtë debat publik, në të cilin është hedhur baltë pa hesap mbi togat e zeza, nuk ka dalë qoftë dhe një gjyqtar që ta thotë të vetën, në formë miratimi apo kundërshtimi, lidhur me të gjitha ato që thuhen për kategorinë e tij. Asnjë zë nuk është dëgjuar dhe kjo është shenjë më vete e një kompleksi faji që gjallon mes armatës së gjyqtarëve. Më shumë sesa korrupsioni që është një dukuri shqiptare, është një si complicity që e bën sistemin e drejtësisë të frikshëm, një lloj droje e hezitimi pra për ta veçuar veten prej gjindjes që ka dalë nga binarët. Nuk është se të gjithë janë të korruptuar, por të gjithë ama janë me gojë të mbyllur. Gjithë këto vite gjyqtarët, më shumë sesa nga korrupsioni, janë karakterizuar nga solidariteti e bashkëjetesa e paqtë mes korrupsionit, edhe kur ky korrupsion nuk u ka përkitur drejtpërsëdrejti. Kjo do të thotë se gjyqtarët nuk duhen futur të gjithë në një thes. Mes tyre është e sigurt që ka gjyqtarë, të cilët janë një garanci për suksesin e reformave që kërkohen, ka gjyqtarë, me ndihmën e të cilëve do të bëhet e mundur kjo reformë. Dhe në fakt, nëse nuk do të kish gjyqtarë të tillë, ku do ta varnim shpresën? Do të bënim ndonjë tabula rasa? Por kjo s’do të ishte reformë. Kjo do të ishte një strategji për t’ia filluar nga e para, që me fjalë të tjera do të ishte një strategji e rrënimit.

Më në fund, në këtë histori është edhe opozita, e cila mezi u përfshi në këtë betejë. Dhe tani që është përfshirë, duket që e ka bërë pa zemër, e kjo të bën të besosh se përpjekjet për ta reformuar sistemin nuk kanë për të ecur si në vaj. Pa pjesëmarrjen, më saktë pa vullnetin e mirë të opozitës, kjo reformë është e pamundur. Dhe arsyeja është e thjeshtë: Reforma nuk mund të bëhet pa ndërhyrje në Kushtetutë dhe ndërhyrjet në Kushtetutë nuk mund të bëhen pa votat e opozitës në Parlament. Tani, një lloj reforme mund të bëhet edhe pa prekur Kushtetutën, por së pari kjo gjë nuk do të sillte ndryshimin që duhet, dhe së dyti të gjithë ata që flasin për reformimin e këtij sistemi kanë në mendje ndryshimin e Kushtetutës. Prandaj, roli i opozitës bëhet vendimtar në këtë proces.

Një objeksion ka për të pasur opozita gjatë gjithë kohës: nevoja për reformimin e sistemit të drejtësisë po shfrytëzohet nga mazhoranca me synimin për ta kapur këtë sistem, e për ta vënë atë nën thundrën e vet. Në fakt, ky rrezik ekziston që ç’ke me të, por nga ana tjetër, kjo gjendje në të cilën ndodhet sistemi është një rrezik real, për rrjedhojë më i frikshëm, absolutisht më i frikshëm, sesa çdo rrezik i supozuar. Reforma pra duhet bërë, e thellë, e plotë, e qartë, e guximshme.

Veçse ka një të panjohur në këtë ekuacion. Ne nuk dimë se çfarë reforme do të bëhet. Dhe duket se askush nuk e di. Të paktën, deri më sot, nuk na është bërë me dije se ka ndonjë projekt të tillë konkret. E vetmja gjë që dimë deri më sot është që kjo mazhorancë, edhe në presionin e Brukselit e të Uashingtonit, ka shprehur vullnetin për “ta tundur nga themelet sistemin e drejtësisë në Shqipëri” gjatë vjeshtës së këtij viti. Opozita ka të drejtë që të trembet nga kjo frazë e Kryeministrit, që e bart të nënkuptuar edhe premtimin e vendosmërinë për reformë, edhe planin për ta shtënë në dorë sistemin e drejtësisë, por ajo, tok me faktorët ndërkombëtarë që janë duke luajtur në fushë, i kanë mundësitë që ta kontrollojnë procesin e ta mbajnë atë në binarët e duhur. Kështu që nuk ka arsye për frikë. Përkundrazi, ka nevojë që ky proces të shtyhet. Koha nuk pret.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA