Një drejtues ekzekutiv i një prej kompanive më të mëdha teknologjike është arrestuar për korrupsion. Patrick Liu, një drejtues i firmës kineze “Alibaba”, është në paraburgim për akuza që kanë të bëjnë me punën e tij të mëparshme në kompaninë e internetit “Tencent”.

“Tencent”, rrjeti social më i madh kinez, thotë se gjashtë ish punonjës të saj do të hetohen nga organet kompetente pas një auditi të bërë nga vetë firma dhe që çoi në akuzat për ryshfet.

Qeveria kineze po përpiqet të bëjë një reformë në ekonomi dhe po lufton korrupsionin në institucionet e rëndësishme dhe bizneset e mëdha.

“Alibaba” thekson se arrestimi nuk ka lidhje me kompaninë, dhe se hetimi lidhet me punën e mëparshme të z. Liu, tek “Tencent”.

Liu u largua nga “Tencent” në vitin 2013, për tu bërë president i departamentit të argëtimit dixhital tek “Alibaba”. “Tencent” ka aplikacionin më popullor të bisedave, WeChat, dhe shërbimin më të madh të muzikës streaming në vend.

Top Channel