Kriza politike në Maqedoni, në fazë kritike. Hahn do të rikthehet në Shkup

09/07/2015 00:00

Pas tërheqjes së udhëheqësit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev, nga bisedimet, procesi për zgjidhjen e ngërçit politik në Maqedoni ka hyrë në një fazë kritike. Alarmi vjen nga Brukseli.

Thellimi i krizës do ta risjellë në Shkup, javën e ardhshme, Komisionerin europian për Zgjerim, Johaness Hahn, i cili do të bëjë përpjekje për t’i ulur përsëri në negociata udhëheqësit politikë. Ai ftoi paraprakisht drejtuesit e dy partive maqedonase, të tejkalojnë dallimet dhe të arrijnë një kompromis për zgjidhjen e ngërçit, deri më 20 korrik.

Por, pavarësisht këtij apeli, në Shkup kanë vazhduar polemikat për ndërprerjen e negociatave. Partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv ka vendosur të mos vazhdojë bisedimet, nëse opozita maqedonase vijon me publikimin e materialeve nga skandali i përgjimeve.

Në një komunikatë me shkrim, partia e Gruevskit fajëson LSDM-në opozitare për dështimin e procesit të bisedimeve. Sipas VMRO-së, kreu opozitar Zaev është tërhequr nga bisedimet, për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2016 dhe për të shkaktuar krizë ekonomike në vend.

Për partinë e drejtuar nga kryeministri është e papranueshme kërkesa, që opozita të marrë disa ministri kyçe në qeverinë që do të organizonte zgjedhjet.

Ndaj këtyre akuzave të VMRO-së ka reaguar LSDM-ja, e cila vlerëson se, skandali i përgjimeve ka zbuluar të vërtetën për aferat kriminale të qeverisë, prandaj Gruevski frikësohet të formojë një qeveri kalimtare dhe të ndajë postet ministrore me opozitën.

Pavarësisht dështimit të bisedimeve për zgjidhjen e krizës, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë paralajmëron se do të angazhohet me të gjitha mjetet, që ka në dispozicion, për kthimin e demokracisë në vend.

Një ditë më parë, udhëheqësi i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, u tërhoq nga negociatat për normalizimin e situatës, për shkak të pamundësisë për të përafruar qëndrimet me kryeministrin Gruevski. Jo zyrtarisht mësohet se, dallimet kryesore mes tyre kishin të bëjnë me afatin e formimit të qeverisë kalimtare pa Gruevskin, që do të organizonte zgjedhjet e parakohshme në prill të vitit 2016.

Top Channel