Nga Mustafa Nano – Në kronikat e këtyre ditëve lidhur me çfarë ndodhi në Greqi, më shumë sesa për referendumin është folur për festën e organizuar në sheshin ‘Syntagma’ të Athinës, pasi u mor vesh se kish fituar “jo”-ja.
Ajo festë ishte fryt i një sendërgjie të krijuar nga mass-media mbi një gjoja betejë për jetë a vdekje midis Davidit grek e Goliathit europian, e për rrjedhojë ishte edhe e kuptueshme, por në sytë e të shumtëve në Europë e në botë ajo ishte një festë absurde e surreale. Siç ishte në fakt dhe referendumi vetë, pa përmbajtje, pa logjikë, një shpikje e atypëratyshme për të shfryrë një duf në stilin ballkanik a bizantin (dhe duhen përgëzuar grekët për zotësinë e organizimit të një ngjarjeje të tillë në harkun e një jave; ne fqinjëve të veriut të tyre na duhen javë të tëra për të nxjerrë rezultatin e ca zgjedhjeve të përgatitura prej muajsh e vitesh të tërë).
Të gjithë u shastisën nga kuturisja e Tcipras-it për ta hedhur popullin e vet në një aventurë të kotë referendare, por mbi të gjitha u shastisën nga shpërthimi i haresë nëpër rrugët e Athinës. Dukej si një popull i tërë in trance. Nuk ka mbetur reporter i ndonjë gazete të huaj pa e nxjerrë në pah topitjen e vet përballë kësaj dalldie. “Për çfarë festojnë këta njerëz? Çfarë kanë fituar me këtë referendum?”, thoshin pothuaj të gjithë në kronikat e tyre që i shkruanin nga Athina, në mos nga ndonjë qoshe pallati në skaj të sheshit ‘Syntagma’, me laptop-in mbi gjunjë.
Afërmendsh që ishte një gjendje kalimtare. Në fakt, qysh të nesërmen, një reporter i së përditshmes amerikane ‘Neë York Times’ shkruante se ish pjekur me një qytetar të Athinës, që kish një dyqan pajisjesh elektronike, dhe ish ky i fundit që i kish thënë se “kish mbetur me sytë nga ekrani i TV-së për të dëgjuar ndonjë lajm që të ish në harmoni me festën e organizuar një ditë më parë, por të gjitha lajmet veç me festën nuk kishin lidhje; përkundrazi, ishin lajme, të cilat bënin me dije se do të vijonin negociatat, se pará nuk kishte, se bankat nuk do të hapeshin, se ditët më të zeza për ekonominë nuk kishin ardhur ende, se BQE-ja e FMN-ja nuk kishin ndër mend ta zgjidhnin qesen, se grekët me këtë referendum, në tentativën për të vënë vetulla, po rrezikonin të nxirrnin sytë, dhe se strategjia ‘Grexit’ mbetej një opsion po aq i fortë sa, në mos më i fortë se, përpara referendumit, etj., etj.
Nuk di nëse keni mundur ta vini re se paralel me këtë dalldi grekësh nëpër rrugë e nëpër sheshe, ka pasur një dalldi shqiptarësh në botën online. Grekët kanë festuar me idenë budallaqe se ia hodhën në një kohë që, sido që të venë punët, veç për fitore nuk mund të flitet, ndërsa një pjesë shqiptarësh kanë festuar si të ndërkryer me bindjen se Greqinë, pas këtij referendumi e për shkak të këtij referendumi, do ta shohin si mos më keq, ngaqë do ta nxjerrin jashtë zonës ‘Euro’ e me gjasë jashtë BE-së. Ky gëzim është shprehje e një animoziteti që nuk njeh të sosur mes dy kombeve fqinj (duhet thënë se, pavarësisht këtij animoziteti, shqiptarët e grekët japin e marrin pa fund e çdo gjë me sho-shoqin), dhe ca e cave këtyre anëve tona duket se historia u ka sjellë “orën e hakmarrjes” ndaj grekëve. Duket si gallatë, por kështu është. Futuni nëpër site, blogje, rrjete sociale, e sytë do t’ju shohin veç një solidaritet të mekur me grekët; më së shumti do të ballafaqoheni me një histeri antigreke, ku dikush gëzohet që grekëve po u ulen kryet, dikush që po lënë koqen e namit me sjelljen e llastuar, dikush tjetër akoma shpreson që kjo gjendje të vijojë pa fund, e dikush tjetër më në fund uron që Greqia të braktiset nga Europa në fatin e vet, e kështu me radhë.
Kjo përndezja antigreke e shqiptarëve (jo e të gjithëve, kuptohet; madje, gjasat janë që të jenë shumë të paktë ata që po festojnë, por janë shumë aktivë online, falë edhe bujarisë e tolerancës së editorëve të këtyre faqeve) është një marrëzi më e madhe se sa përndezja e grekëve pas referendumit. E për ta shfryrë tullumbacen e këtij gëzimi nuk ka nevojë t’u japësh munxët – ndonëse kjo gjë duhet bërë gjithnjë – qëndrimeve shoviniste e urrejtjes ndërnacionale. Jo, është mjaft të bësh ndonjë arsyetim të natyrës praktike e pragmatiste. Me fjalë të tjera, është mjaft t’i përgjigjesh pyetjes: Çfarë efekti do ketë mbi shqiptarët përkeqësimi, a përjetësimi, i krizës greke, gjë që do të vijë se s’bën nëse BE-ja e nxjerr Greqinë jashtë radhëve të veta?
Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Shqiptarët do të kenë veç qeder, nëse punët në Greqi shkojnë keq e më keq e nëse Greqia ndahet nga BE-ja. Së pari në planin politik, dhe këtu po lë mënjanë rrethanat, ku futet në lojë dhe Rusia (ky është muhabet më vete; dhe muhabet bajagi i rëndësishëm). Një Greqi jashtë BE-së do të komprometonte seriozisht, si asnjëherë më parë, strategjinë e zgjerimit të BE-së. Asnjë vend nuk do lejohej të trokiste në derën e BE-së për sa kohë që Greqia nxirret jashtë dere. Procesi i zgjerimit, në rastin më të mirë, do të ngrinte pra. Sepse dhe vetë procesi i integrimit të mëtejshëm të BE-së mes vedi do të vihej në pikëpyetje. E gjithë ideja e Europës së bashkuar, e iniciuar prej mendjeve të shquara të së kaluarës, të kulturës e të politikës, do të merrte një plasaritje të fortë, ndoshta fatale. E prandaj, vendimi për t’i thënë Greqinë “ik, shih punët e tua tani” nuk është aq i lehtë. Madje, duket i pamundur. Dhe kjo është arsyeja që Tcipras-i bën naze, gjë që nuk e justifikon; përkundrazi, e nxjerr si një të paudhë që luan bixhoz me të ardhmen e popullit të tij. Por do t’ia vlente që për t’i treguar vendin një gangsteri populist të merrje një vendim kaq fatal? Do t’ia vlente ta digjje jorganin për një plesht? Hm, Merkel e Co. me siguri do kishin dashur të mos ishin në pozitat ku janë sot, kur u duhet pra të marrin një vendim që, në çdo rast, do të jetë historik. E kur thuhet “historik” nuk teprohet po të nënkuptohet edhe “katastrofik”.
Së dyti, pasojat e Shqipërisë do të jenë në planin ekonomik. E për t’u ftilluar lidhur me këtë gjë nuk ka nevojë të jesh shkencëtar. Greqia është një fqinj i yni. Dhe mes fqinjësh ka gjithnjë një efekt domino: kur bie njëri, rrëzon dhe tjetrin. Përveç kësaj, ne jemi të pleksur me grekët në një mijë e një mënyra. Mjafton të sjellim në mendje disa qindra mijë shqiptarë që banojnë e punojnë (Apo duhet thënë “punonin”?) në Greqi, dhe këta shqiptarë, nëse atdheu i tyre i dytë mbetet pa shpresë, e kanë një gjoja atout në këtë lojë të rëndë, e kanë një shpresë të fundit, vendin e tyre të origjinës, ku gjërat, përveçse janë shumë keq (ne kemi pragun e ndjeshmërisë shumë të ulët, prandaj nuk spitullohemi e hedhim vickla si grekët), mund të bëhen shumë më keq për shkak të krizës që s’po na ndahet, e më pas edhe për shkak të tyre që do kërkojnë t’u lirohet pak vend në sofrën tonë, që është edhe e tyre.
Shkurt, fundi i Greqisë është dhe fundi ynë. Por shyqyr Zotit që, përpara se të jetë fundi i ynë, është potencialisht dhe fundi i Europës, dhe është ky motivi që bën shumë njerëz të shpresojnë se një zgjidhje do gjendet, dhe se Greqia do të mbetet brenda Europës.
Top Channel