Martin, “autoblindi” i garave kronometrike. “Perla” e pestë në Turin e Francës

08/07/2015 00:00

Triumfi i arritur në etapën e katërt të Turit të Francës, për Tony Martin rezulton të jetë suksesi i 56 si çiklist profesionist, ndërsa i pesti në eventin më madhor dhe më të ndjekur të çiklizmit botëror.

Për herë të parë, çiklisti gjerman ka mundur të shpallet fitues më 23 korrik të vitit 2011, në kronometrin e Grenobles. Më pas, të dytin triumf e ka arritur sërish në kronometër individual, në “Mont Saint Michel” – një komunë ishullore e Normandisë, në Francë – të vitit 2013, ku është rishpallur fitimtar edhe vitin e kaluar. Suksesi i radhës është regjistruar në Mulhouse, një komunë lindore në kufi me Zvicrën, ndërsa më i fundit ishte në kronometrin Bergerac-Perigueux.

I lindur në Kotbus të Gjermanisë më 23 prill 1985, ai ka garuar për ekipin Columbia, ndërsa prej vitit 2012 është pjesë e ekipit të Patrick Lefevere, që fillimisht quhej Omega Pharma-Quick Step, ndërsa sot emërohet Etixx-Quick Step.

Në kurrikulimin e tij spikasin mbi të gjitha tri titujt botërorë individualë. Martin ka arritur edhe medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012, gjithnjë në kronometër. Suksesi i së martës në etapën e katërt i veshi atij për herë të parë fanelën e verdhë.

Top Channel