Fëmijë, me prindër me dy kombësi

08/07/2015 00:00

E kemi thënë shpesh se dashuria nuk njeh kufinj, e aq më pak për një vend të vogël si Shqipëria. Nuk janë të pakta rastet e beqarëve, të cilët kanë gjetur dashurinë jashtë kufinjve të Shqipërisë, duke nisur nga njerëzit e thjeshtë e deri te personat VIP.

Gjetja e një partneri të huaj, për shumë prej tyre nuk është thjesht një aventurë, por një fillesë për krijimin e një familjeje të shëndoshë.

Por, a është gjithçka kaq e lehtë sa ç’duket? Përshtatja me traditat, gjuhën, vendbanimin dhe kulturën e njëri-tjetrit është vetëm fillimi, sepse kur vjen fjala te fëmijët, gjërat sa vijnë edhe vështirësohen. Peripecitë, që kalojnë të dashuruarit me kombësi të ndryshme rifillojnë edhe njëherë, kur në jetën e tyre vjen një fëmijë.

Si filllim, çfarë gjuhe do flasin fëmijët? Kë do të mësojnë të parën? Ata bëhen konfuzë, kur dëgjojnë dy gjuhë të fliten rreth tyre, ndaj dhe fillojnë t’i përziejnë. Gjuha është problemi më i madh, që kanë prindërit me kombësi të ndryshme.

Fëmijët tuaj do të duhet të jetojnë shumë larg nga familjarët e njërit prej jush. Si do t’ia bëni, që fëmijët të rriten me të dy gjyshërit dhe familjarët e tjerë?

Keqkuptimet kulturore janë një tjetër problem. Përshtatja me festat, traditat, zakonet e të dy prindërve është një sfidë e vërtetë për fëmijët. Duke mësuar zakonet kulturore të një prej prindërve, atyre u duket sikur lënë pas dore prindin tjetër.

Partneri juaj sado të përpiqet, nuk do të ndihet kurrë 100% si në shtëpinë e tij/saj. Kjo do të shërbejë padyshim si justifikim, për çdo problem që do të keni me rritjen e fëmijës në vendin tuaj.

Po në rast se divorcoheni? Fëmijët tuaj do të jetojnë me ju, apo do të udhëtojnë midis dy shteteve? Ndarja e çifteve ndërkombëtare kërkon shumë kohë dhe njëri prej jush mund t’i shohë fëmijët vetëm për festa.

Fëmijët tuaj mund të mos ndihen plotësisht pjesë e komunitetit, ku ata jetojnë, sepse duan apo nuk duan, janë të ndryshëm nga fëmijët e tjerë.

Por, të qenit i ndryshëm nuk ka pse të jetë gjithmonë një problem, sepse fëmijët, pavarësisht vështirësive, janë edhe të privilegjuar.

Fëmijët tuaj do të flasin dy gjuhë, do të kenë dy shtetësi dhe dy shtëpi, në shtete të ndryshme. Ata do të kenë gjithmonë një justifikim për të udhëtuar. Është padyshim një ide e mirë për t’u arratisur nga monotonia dhe për t’u njohur në të njëjtën kohë më mirë me gjysmën tjetër të familjes.

Top Channel