Arda Turan flet si “katalanas”: Barça më la pa gjumë

07/07/2015 00:00

Arda Turan ka folur për herë të parë si lojtar i Barcelonës. Mesfushori turk është shprehur se nga momenti kur katalanasit i janë afruar me një ofertë konkrete, deri në momentin kur gjithçka u bë zyrtare, nuk ka bërë gjumë.

“Që kur kuptova për interesimin e Barçës e deri në ditën e zyrtarizimit nuk kam bërë gjumë. Kam qenë me pushime, por çdo ditë kam telefonuar agjentin duke e pytuar nëse jemi afër marrëveshjes apo jo. Gjithmonë kam ëndërruar që të luaj në këtë skuadër”, është shprehur Turan për “Mundo Deportivo”.

Ish-lojtari i Atleticos ka thënë se ka marrë edhe një telefonatë nga trajneri Luis Enrique. “Të hënën, Luis Enrique më ka telefonuar dhe më ka uruar mirëseardhje. Jam shumë i lumtur që do të jem nën urdhërat e tij”, ka vazhduar ai.

Turan nuk ka mundur të mos japë një mendim për Lionel Messin dhe shokët e skuadrës së re, për të cilët thotë se është i nderuar që do të luajë përkrah tyre.

“Messi është lojtari më i mirë në botë, ndërsa Iniesta është idhulli im. Kam nderin që do të luaj përkrah tyre, por do të jetë kënaqësi të luaj edhe me Neymarin e Suarezin”, ka thënë turku.

Top Channel