Riintegrimi i menusë Start, futja e brouserit për web, Edge, ndihmësi Cortana dhe sistemi i identifikimit Hello. Këto janë disa prej të rejave që do të vijnë në miliona kompjutera në botë me Windows 10, sistemi i ri operativ i Microsoft që do të dalë më 29 korrik, në 190 vende të botës.

Ai do të jetë i disponueshëm gradualisht për përdoruesit.

Duke nisur nga “insider”, plot pesë milionë persona kanë kontribuar në realizimin e kësaj platforme me testet e tyre. Marrja e tij do të jetë falas, me përjashtim të “piratëve”. Windows 10 vjen në 40-vjetorin e Microsoft dhe sjellë me vete edhe përgjegjësinë e ringjalljes në një sektor ku Windows është ende mbreti i padiskutueshëm, por në një ndjekje të përhershme nga Apple dhe Google.

Megjithatë, Windows 10 nuk do të vijë menjëherë për të gjithë, por do të dalë gradualisht për kompjutera dhe tabletë. Të parët që do të marrin këtë sistem operativ do të jenë ata që kanë testuar programin, “insider”, pra, 5 milionë përdorues. Më pas do të jetë radha e atyre që kanë “prenotuar” një kopje të Windows 10 me një procedurë online, që është aktive që nga fillimi i qershorit. E më pas për të gjithë të tjerët.

A do të jetë falas apo jo?

Kjo është pyetja që shtrojnë përdoruesit në muajt e fundit. Microsoft ka saktësuar muajt e kaluar se përditësimi i Windows 10 do të jetë falas për ata që kanë kopje “në përputhje” me Windows 7 dhe 8.1. Por jo për ata që kanë kopje pirate, të instaluar në mënyrë të paligjshme, të versioneve të mëparshme të programit. Keqkuptimi lindi në fund të marsit kur në një samit në Kinë, zv.presidenti i Microsoft, përgjegjës për Windows, Terry Myerson, konfirmoi se përditësimi do të jetë falas për një vit nga dalja edhe për ata që kanë kopje “Genuine” të programit. Në këtë mënyrë Microsoft kishte si qëllim “të shërojë” kopjet e paligjshme të programit, por kjo nuk ishte e qartë. Më pas ka saktësuar: “piratët” duhet të paguajnë, edhe pse janë parashikuar oferta për t’i inkurajuar dhe për t’i bërë të ligjshëm.

“Windows 10 do të jetë një revolucion i rëndësishëm për zhvilluesit, pasi do të lejojë krijimin e aplikacioneve për një platformë të vetme”, ka thënë Evita Barra, drejtori i Shpërndarjes së Windows. Karakteristika kryesore e këtij programi është “universaliteti”, në kuptimin se do të jetë baza për më shumë pajisje, nga kompjuterët e tabletët, tek smartphone dhe Xbox.

Sistemi operativ do të vijë në 7 versione, Home, Mobile, Pro, Enterprise, Education, Mobile Enterprise dhe IoT Core, me funksione të përshtatura për përdoruesit dhe pajisjet.

Top Channel