Faqja më ekskluzive e internetit? Përdoruesit hyjnë me radhë

06/07/2015 00:00

Kush është faqja më ekskluzive në botë? Përdoruesit hyjnë me radhë në të. Duhet të “marrësh një biletë”, njësoj si në një sallë pritjeje virtuale derisa të të vijë radha. Në këtë faqe interneti hyn një përdorues çdo 60 sekonda. MostEsxclusiveWebsite.com, e ideuar nga Justin Foley, po përhapet shumë në internet, edhe pse nuk dihet se për çfarë bën fjalë.

“Interneti është ndërtuar për të qenë i hapur dhe i aksesueshëm. Çfarë do të ndodhte nëse do të kishte një antitezë për gjithë këtë?”, thotë zhvilluesi. U tha, u bë. Në mars ai krijoi këtë platformë që duket si një eksperiment i zgjuar. Kur të vjen radha pas orë dhe ditë pritjesh hyn në përmbajtjen e faqes.

Çfarë përmban ajo?
Në faqe do të gjesh një galeri fotosh macesh, por nga jashtë faqja është tërësisht anonime. Ka një sfond gri të qartë dhe një kuadrat qendror, falë të cilit mund të bësh prenotimin për të hyrë.

“Jemi duke i shërbyer numrit… para teje janë… persona në radhë”, thotë lajmërimi në faqe. Një matës kohe mat sekondat, dhe kur bëhet një minutë, vijon radha. Të shtunën në mëngjes numri kishte arritur plot 300 mijë vizitues dhe më shumë se 50 mijë në pritje.

Pak orë më vonë lista kishte shkuar në 64 mijë, një radhë e gjatë për 44 ditë. CNBC thotë se mijëra njerëz kanë kaluar 30 mijë orë në radhë për të hyrë, pasi kanë “tërhequr” biletën e tyre. Duket se misteri për përmbajtjen e faqes është pika shtysë për përdoruesit. Vetë komentet janë shumë kontraditore: “kam pritur gjashtë orë për të parë këtë?”, apo “një gjeni artistik”, por edhe “faleminderit për asgjë”.

Ky projekt të lë përshtypjen se është një eksperiment i krijuar nga Foley për të tërhequr vëmendjen, duke shfrytëzuar kuriozitetin e përdoruesve, të dhënat e tyre, pasi për të hyrë duhet të regjistrohesh. Megjithatë, një video që qarkullon në internet, tregon përmbajtjen e web-it.

Top Channel