Greqia voton në referendum, me të ardhmen në Eurozonë në dyshim

05/07/2015 00:00

Grekët janë duke votuar këtë të dielë nëse do të pranojnë masat shtrënguese të huadhënësve ndërkombëtarë në këmbim të një programi të ri ndihme, në referendumin e shumëdiskutuar, që pritet të përcaktojë nëse Greqia do të largohet nga Eurozona apo jo, pas më shumë se 7 vite vuajtjesh ekonomike.

I organizuar përballë sfondit të mbylljes së bankave dhe kërcënimeve për dështim financiar, votimi pritet të jetë me një diferencë shumë të ngushtë dhe mund të mos prodhojë një rezultat të qartë për negociatat, që kërkohen me ngulm prej huadhënësve të Athinës.

Grekët janë të ndarë nëse do të pranojnë ofertën e BE-së, FMN-së dhe BQE-së, të cilën kryeministri Alexis Tsipras e quan “poshtëruese”, ndaj dhe ka ftuar popullin e tij ta refuzojë atë. Nga ana tjetër investitorët dhe ligjbërësit europianë thonë se një refuzim i tillë do t’i tregonte Greqisë daljen nga zona e monedhës së përbashkët, duke destabilizuar më tej ekonominë globale dhe tregjet financiare.

“Votova ‘Jo’ ndaj asaj po-je që partnerët tanë europianë këmbëngulin që unë të zgjidhja”, thotë Eleni Deligainni, një 43-vjeçare nga Athina. “Jam e papunë prej afro 4 vitesh dhe i kam thënë gjithnjë vetes të ruaj qetësinë e të kem durim… Por tashmë kemi arritur kulmin, jemi privuar shumë dhe kemi një papunësi të lartë”.

Votimi nëse do të pranoheshin më shumë taksa dhe shkurtime pensionesh do të ishte përçarës në cilindo vend, edhe në kohët më të mira financiare, e jo më si gjendja aktuale e Greqisë.

Në Greqi, zgjedhja vihet përballë një popullsie të irrituar dhe të lodhur, që pas 5 vitesh masash shtrënguese kanë vuajtur prej afro një jave nga kontrolli i kapitalit të vendosur për të shmangur shkatërrimin e sistemit financiar të vendit.

Pensionistët kanë mësyrë portat hyrëse të bankave në mënyrë që të merrnin pensionet e tyre, por kanë mbetur duarbosh dhe në lotë. 11 vite më parë, mëngjesin e 5 korrikut 2004, grekët dilnin masivisht nëpër rrugët e vendit, të bashkuar dhe duke festuar fitoren e vendit të tyre në kampionatin europian të futbollit. Ndërsa sot, Greqia është e përçarë dhe e frikësuar, si rrallë ndonjëherë.

“E quani dinjitet këtë? Të qëndrosh në radhë te bankomatet (ATM) për një grusht eurosh?”, pyet një pensionist 76-vjeçar, Yannis Kontis, pasi votoi në rajonin periferik të Athinës, Pangrati. “Votova ‘Po’, në mënyrë që të qëndrojmë në Europë”.

Kutitë e votimit do të mbyllen në 18:00 të pasdites, ndërsa projeksionet e para të votave pritet të dalin vetëm 1 orë më pas. 4 sondazhe të publikuara të premten nxorrën votën ‘Po’ në avantazh por shumë të ngushtë kundrejt ‘Jo’-së. Të gjitha rezultatet ishin brenda kufirit të marzhit të gabimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA