Milan, zyrtarizohet Luiz Adriano nga Shakhtari. Kontratë 5-vjeçare

02/07/2015 00:00

Në prag të prezantimit zyrtar të trajnerit Mihajloviç, nga Milani vjen një tjetër lajm i bujshëm merkatoje. Bëhet fjalë për goditjen e radhës për repartin e sulmit.

Administratori i deleguar kuqezi, Adriano Galliani, ka përfunduar me sukses blerjen e sulmuesit brazilian, Luiz Adriano, nga Shakhtar Donetsk. Zyrtarizimi ka ardhur brenda kësaj merkatoje verore dhe jo siç ishte diskutuar më parë për në janarin e vitit të ardhshëm. Për klubin ukrainas janë ofruar 8 milionë euro, ndërsa lojtari ka firmosur një kontratë 5-vjeçare, deri në vitin 2020.

Tratativa është përshpejtuar së fundi, teksa Galliani, pasi ka siguruar akordin me agjentin e lojtarit, ka marrë edhe “dritën jeshile” nga klubi ukrainas për të siguruar shërbimet e tij menjëherë, pa pritur dhjetorin.

“Milani komunikon se ka blerë përfundimisht nga Shakhtar Donetsk shërbimet e sulmuesit Luiz Adriano”, lexohej në deklaratën e klubit kuqezi. “Lojtari ka firmosur një kontratë deri më 30 qershor 2020, ndërkohë që do t’i bashkohet skuadrës në ditët në vijim”.

Kjo është blerja e tretë e kësaj vere për “djallin kuqezi”, pasi më herët u siguruan edhe shërbimet e Bertolaccit dhe Bacca, i pari nga Genoa dhe i dyti nga Sevilla, kampione në fuqi e Europa League. Milani ka ende nën vëzhgim edhe Jose Maurin për mesfushën dhe lojtarë të tjerë për mbrojtjen.

Top Channel