Grekët: Programi, dështim historik. Europa ka edhe vetë frikë nga referendumi ynë

02/07/2015 00:00

Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis ka deklaruar se, nëse në referendumin e së dielës fiton kahu i qytetarëve, që do të votojnë “Po” ndaj nënshkrimit të marrëveshjes së propozuar nga huadhënësit, ai do të japë dorëheqjen.

Deklarata e tij është bërë në agjencinë e lajmeve “Bloomberg”, ku midis të tjerash, ai ka theksuar se më mirë do të preferonte të priste dorën, sesa të nënshkruajë një marrëveshje të tillë me masa të ashpra ndaj qytetarëve, e cila përveç të tjerash nuk do të përmbante edhe reduktimin e borxhit të Greqisë.

Programi grek, që na kanë propozuar, është dështimi më i madh në historinë botërore, ndaj nëse votojmë “Jo” do të kemi një marrëveshje shumë të mirë, – ka thënë ai. Ndërkohë, jashtë bankave vazhdojnë radhët e gjata të pensionistëve, pasi ndahet për të dytën ditë një pjesë e pensioneve të tyre.

“Është e trishtueshme, që njerëzit të punojnë gjithë jetën e pastaj të përfundojnë përballë kufizimit të tërheqjes së vetëm 60 eurove në ditë, sepse bankat nuk u lejojnë më shumë. Nëse i marrin edhe ato… Dhe, sa për referendumin, kryeministri ynë, nëse donte mendimin e popullit duhej ta bënte para se të mbaronte programi, jo tani që ka skaduar”, tha një qytetar.

“Nëse rezultati është ‘Jo’, ne mund të kemi një marrëveshje më të mirë. Pse europianët kanë frikë nga referendumi? Pse u intereson? Kjo është e drejta jonë demokratike. Ata frikësohen për efektet, që mund të ketë në vendet e tjera”, tha një pensionist.

Shumica e politikanëeve të vendit, midis tyre edhe ish-kryeministri Kostas Karamanlis, deklarojnë se populli duhet të votojë “Po” në referendum, madje flitet se, edhe disa ministra të kabinetit dhe deputetë të koalicionit qeveritar janë pranë këtij mendimi.

Burime qeveritare, ndërkohë, deklarojnë se Tsipras ndodhet nën presionin më të madh, që i është bërë ndonjëherë një qeverie në Europë, si nga faktorët e brendshëm, ashtu dhe nga të jashtmit.

Shtypi grek është mbushur orët e fundit me publikime tepër shqetësuese, që bëjnë fjalë për reduktim të depozitave të mbetura në bankat greke, që mund të shkojnë nga 27 deri në 55% të parave dhe kjo ka shkaktuar një frikë dhe reagim të madh të të gjithë qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA