Grekët, të dyzuar për referendumin. Të rinjtë ëndërrojnë të largohen

01/07/2015 00:00

Rrugët janë të shkretuara. Për çdo kafenè apo ushqimore të hapur, gjen të paktën një duzinë të tjerash, që i kanë vënë kyçin dyerve. Disa dyqane janë braktisur prej aq shumë kohësh, sa tabelat “jepet me qira” kanë nisur të çngjyrosen nga dielli.

Dhe, e gjithë kjo nuk ndodh në ndonjë cep të humbur të Greqisë; një panoramë e tillë dorëzimi dhe braktisjeje i është shfaqur në fillim të javës korrespondentit të BBC-së, Joe Miller, në lagjen “Pagkrati” të Athinës.

Janis ishte njëri nga banorët, që pranoi të fliste për reporterin britanik, por jo të fotografohej. Ai nuk zotëron një kartë krediti dhe, nëse bankat do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, nuk do t’i tërheqë dot paratë e tij. Kjo situatë e ka lodhur dhe ai, thjesht dëshiron që gjithçka të marrë fund, e gjendja të rikthehet sa më shpejt në normalitet.

Për këtë arsye, mendon se Greqia duhet t’i pranojë kushtet e kreditorëve, me gjithë shkurtimet e dhimbshme të pensioneve apo rritjen e taksave, ndaj dhe shprehet i gatshëm të votojë “Pro” në referendum.

Kundër propozimeve të BE-së dhe FMN-së është Dimitris, një pensionist mbi të 60-at. Pas 43 vitesh biznesi, në muajin shkurt u detyrua ta mbyllte dyqanin, ndërsa thotë se fëmijët e tij kanë ndërmend të largohen nga Greqia. Njëri kërkon të shkojë sa më larg Europës, që të jetë e mundur, e po mendon të vendoset në Australi. Ndjesia që Dimitris përcjell, e që ndahet edhe nga shumë të tjerë, është se kombet e fuqishme janë treguar të padrejta me Greqinë.

Viktori, një tjetër mbështetes i “Jo”-së, ka punuar fillimisht në ndërtim, e pastaj ka qenë roje sigurie. Prej disa kohësh është i papunë. Edhe ai, fajin e sheh te ndërkombëtarët dhe arsyeton fare thjesht: “Ata e dinin që Greqia nuk paguante dot, por vazhduan të na ofrojnë huà, duke bërë që të zhytemi më thellë në borxhe”.

Një tjetër i intervistuar prej gazetarit të BBC-së, Thanasi thotë se, edhe po u mbajt referendumi i së dielës, ai nuk do të votojë. Arsyet, sidoqoftë, nuk janë politike. Duke qenë se është i regjistruar në qytetin jugor të Kalamatës, do t’i duhej të shkonte atje, ama udhëtimin në kushtet aktuale nuk ia mban xhepi.

Miller e mbyll reportazhin duke thënë se, pavarësisht kundërshtimeve të tij, nuk e kanë lejuar të paguante kafenë, që kishte porositur. Jemi të gjithë europianë këtu, i ka drejtuar me mirësjellje i zoti i lokalit.

Top Channel