Xanxave të ankimimeve u duhet dhënë një përgjigje e shpejtë

30/06/2015 00:00

Nga Mustafa Nano – Janë bërë një numër ankimimesh pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Afërmendsh, këto ankimime janë legjitime, por legjitimiteti nuk e zhbën dot natyrën xanxare të shumicës së këtyre gjesteve, të bëra nën motivime nga më të ndryshmet, rëndom të liga.

Nuk është se mund të shoqërohen me pasoja që mund të njollosin/komprometojnë/prishin zgjedhjet. E shumta, mund të ngathtësojnë e ngadalësojnë procedurat që ndiqen deri në momentin që bëhet shpallja zyrtare e rezultatit e u jepet mandati të zgjedhurve.

Në këtë histori bien në sy dy ankimime të PD-së e një i LSI-së. Le t’i marrim me radhë. Partia më e madhe në opozitë ka bërë një ankimim lidhur me rezultatin në Tepelenë, ku fitues ka dalë Tërmet Peçi me katër mijë vota përballë Veip Çelës, kandidatit demokrat që ka marrë një mijë e treqind vota. Thelbi i reagimit ka të bëje me fletën e votimit, në të cilën edhe kandidati i mazhorancës, edhe ai i opozitës kanë pasur të njëjtin numër rendor, numrin dy.

Media i kushtoi vëmendje të madhe këtij lapsus calami qysh në orët e para të mëngjesit e deri në momentin, kur KQZ-ja mori vendimin që votimi të bëhej me po atë fletë votimi, pasi gabimi në fjalë nuk ishte nga ata që favorizonte/penalizonte njërin apo tjetrin. Të dyja palët do kishin njësoj të drejtë “të shqetësoheshin” nga kjo çikërrimë.

Në këtë kuptim, vendimi i KQZ-së ishte logjik (nuk kish gabime në emrat e kandidatëve. Ishte thjesht numri rendor i njëjtë për të dy; e cili është ai votues që merr fletën e votimit e vihet në kërkim të numrit rendor të kandidatit të parapëlqyer?), e prandaj u prit me qetësi, në mos me konsensus.

Edhe PD-ja nuk e ngriti zërin. Në KQZ u bë një diskutim i shtruar, ku nuk u dëgjua të ngriheshin pretendime kushedi se çfarë, gjë që bëri që punës t’i jepej dum shpejt e shpejt. Dhe me këtë u mbyll historia. Më pas, ishte dhe rezultati i zgjedhjeve që nuk linte vend për keqardhje.

Diferenca e votave mes të dy kandidatëve kryesorë ishte 2700, shumë më e madhe sesa vetë votat që kandidati humbës kishte marrë. Një diferencë e tillë nuk do mund të shpjegohej me gabimin në fletën e votimit edhe sikur demokratët e Tepelenës të verboheshin atë ditë. E kështu fabula nuk ka asnjë vrimë, prej nga mund të rrjedhë ndonjë dyshim.

Ankimimi i dytë ka të bëjë me Kurbinin. Situata është bërë e qartë nga raportimet në media. Kandidati i PD-së për kreun e Bashkisë së Kurbinit, Altin Biba u tërhoq nga gara në muajin maj. E ka bërë këtë më 9 maj, pasi KZAZ-ja kishte mbyllur procedurat e regjistrimit të tij si kandidat. Por ishte KQZ-ja që nuk pranoi ta hiqte emrin e tij nga fleta e votimit.

Me një vendim të marrë me shumicë votash, Altin Biba mbeti në garë. Ka pasur të drejtë KQZ-ja? Në nenet 72 e 73 të Kodit Zgjedhor, ndonëse gjenden shumë përcaktime që përpiqen të parashikojnë procedurat e regjistrimit të kandidatit, prapëseprapë ka mjegull e paqartësi. Për anëtarët e KQZ-së që ishin pakicë duhet të ketë qenë një situatë e qartë në planin ligjor, megjithatë, pasi arsyetimi që ata i bënë votës së tyre ishte i natyrës politike.

“Nuk mund të lihet gara me një kandidat; kështu cenohet demokracia”, thanë ata. Për më tepër, PD-ja nuk e bëri për të madhe asnjëherë këtë punë, s’ka gjë se kjo anomali ndodhi 40 ditë para ditës së votimit. Kështu që edhe kjo histori u takon arkivave. E gjasat janë që, me këtë, PD-ja t’i ketë paguar një çmim aksionit për dekriminalizimin, të iniciuar nga ajo vetë.

Është për të ardhur keq që PS-ja e LSI-ja nuk paguan asgjë për shkak të 2-3 kandidatëve të tyre me kredenciale të dyshimta. Dhe kjo ka qenë e vetmja njollë serioze e këtyre zgjedhjeve, ndonëse asnjëherë, dhe nga askush, nuk u dhanë prova të qarta që të vërtetoheshin pretendimet e hedhura nga disa anë, përfshirë dhe ndonjë ambasadë apo ambasador.

Vijmë tani tek rasti i Vorës, që është më i rëndësishmi. Nuk është çudi që LSI-ja të bëjë një ankimim (deri dje në orën 14.00 nuk kish mbërritur në KQZ asnjë ankimim nga LSI-ja) sa për të ledhatuar disi sedrën e lënduar të kandidatit të vet që humbi garën apo sa për të krijuar idenë se Metës ia hodhën, nuk është se e mundën (!!!), por nëse është ndryshe, nëse LSI-ja pra mendon vërtet që ta fitojë këtë garë në tavolinë, kjo do të ishte skandaloze.

Nuk dihet sesa qëndron teza e tyre që thotë se “ka pasur zhvendosje të çuditshme emrash në listat e votuesve gjatë ditëve të fushatës” (për këtë po bëhet një hetim nga prokuroria), por do të ishte shokues vendimi për të rihapur kutitë e numëruara të votave apo për të përsëritur zgjedhjet në Vorë, e për rrjedhojë për të përmbysur rezultatin.

Unë flas për një perceptim të publikut kur përdor termin “skandaloz”, dhe në këtë kuptim nuk luan asnjë rol fakti, nëse vendimi do të jetë i bazuar në ligje  e në Kodin Zgjedhor. Opinioni publik do skandalizohej po njësoj, pasi kjo është një situatë që bie erë apriori për shkak të një paraleleje të lehtë që mund të bëhet me zgjedhjet e para katër viteve në Tiranë, fituesi i të cilave u përcaktua ai i vendit të dytë, pas rinumërimit.

Me ndonjë logjikë të huazuar nga kodi ynë zakonor, berishianët e kanë hak t’ua bësh kështu, por puna është se ne presim prova të një lloji tjetër nga kjo mazhorancë. Madje, që të mos krijohet ndonjë déjà vu e çuditshme në kokën e njerëzve, do ishte lajm i bukur sikur LSI-së, edhe sikur kartat të mos jenë qartësisht kundër saj, të mos i ushqehej ëndrra (asëll-asëll zhgjëndrra) për të marrë Vorën, të cilën ajo po kërkon, fillimisht me përqendrimin e zjarrit elektoral aty, më pas me bllokimin e rrugës Tiranë-Durrës, e tani me ndonjë betejë ligjore e procedurale, të na e shndërrojë në një mollë sherri kombëtar. Këtë nuk ia kemi borxh LSI-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA