Sulmohet i afërmi i kandidatit të PD-së në Cërrik; Basha në Elbasan

20/06/2015 00:00

Një tjetër rast i pretenduar për dhunë ndaj simpatizantëve të PD ka bërë që kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha të shkojë menjëherë në Elbasan për t’u njohur me situatën.

Bëhet fjalë për një incident të ndodhur në qytetin e Cërrikut, ku i afërmi i kandidatit të PD, Qamil Boja pretendon të jetë ndjekur nga militantë të LSI, duke pësuar për shkak të tyre një aksident me mjetin e tij.

Kreu i PD nuk pranoi të bëjë komente për mediat në lidhje me ngjarjen, ndërsa kandidati Qamil Boja u shpreh se ky nuk është rasti i parë që dhunohen të afërmit e tij.

Ndërsa mjeku që ka pritur të riun e plagosur është shprehur se dëmtimet e tij janë kryesisht në fytyrë dhe gjendja paraqitet jo e rëndë. Gjithashtu, mjeku shton se vetë i riu, kur është paraqitur në spital ka deklaruar të ketë konsumuar alkool.

Ndërkohë, sipas deklaratës zyrtare të Policisë, 22-vjeçari Erion Baha ka bërë një aksident me mjetin e tij pasi ka humbur kontrollin për shkak të konsumit të alkoolit, duke përfunduar në një kanal. 

Top Channel